Pacolli apel qytetarëve: Mos ndizni zjarre, të mbrojmë pyjet dhe mjedisin
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal për të parandaluar zjarret në pyje dhe hamullore gjatë ditëve me temperatura të larta.
Ajo theksoi se temperaturat e larta dhe tharja e bimësisë rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha në pyje, biodiversitet, tokë dhe në cilësinë e ajrit. Sipas Pacollit, djegia e hamulloreve dëmton pjellorinë e tokës dhe cenon ekuilibrin natyror.
Në apelin e saj, Pacolli u bëri thirrje qytetarëve të mos djegin hamullore dhe mbetje bujqësore, të mos ndezin zjarre në natyrë, të mos hedhin cigare në pyje apo ambiente të hapura dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri tek autoritetet kompetente.
“Të mbrojmë pyjet, tokën dhe natyrën tonë. Çdo veprim i vogël ndihmon mjedisin”, theksoi Pacolli, duke nënvizuar se parandalimi i zjarreve është përgjegjësi e përbashkët. /Kosova.info/
