Putini do të presë bisedimet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit

Kremlini konfirmoi të premten se presidenti rus Vladimir Putin do të presë ditën e hënë bisedimet në Soçi të Rusisë midis liderëve të Armenisë dhe Azerbajxhanit.

“Me iniciativën e palës ruse, negociatat trepalëshe mes Putinit, presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan, do të mbahen më 31 tetor në Soçi”, thuhet në një deklaratë të Kremlinit.

Në tre dekadat e fundit Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra për rajonin e Nagorno-Karabakh.

Përleshjet vdekjeprurëse të mujit shtator përgjatë kufirit mes dy vendeve kanë rritur frikën për një konflikt të ri.

Rusia bëri të ditur se në takimin e së hënën do të diskutohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar, si dhe “hapat e mëtejshëm për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë” në Kaukaz.

“Do të diskutohen gjithashtu çështjet mbi rindërtimin dhe zhvillimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike si dhe ato të transportit,” shkruhet në deklaratë.

Moska shtoi se Putin do të zhvillojë gjithashtu bisedime të veçanta me secilin prej liderëve.

Udhëheqësi rus, i cili dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt, i kishte ftuar ata për një takim në fillim të këtij muaji, por Kremlini nuk kishte dhënë një datë të saktë.

Një luftë gjashtëjavore në vjeshtën e vitit 2020 mori jetën e më shumë se 6.500 trupave nga të dyja palët.

Ajo përfundoi me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia.

Pashinyan dhe Aliyev u takuan për herë të fundit në Bruksel për bisedime nën ndërmjetësimin e Charles Michel pas përplasjeve në shtator.

Go to TOP