Të gjitha projektligjet që u miratuan sot në mbledhjen e Qeverisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 47-tën me radhë, në të cilën ka miratuar njëmbëdhjetë projektligje, tri udhëzime administrative dhe vendime të tjera të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Jemi në javën e sensibilizimit të rëndësisë të luftës kundër korrupsionit dhe para se të nis mbledhjen e sotme, dua t’ju siguroj se do të vazhdojmë të mbrojmë dhe të angazhohemi deri në fund për kauzën, që na ka sjellë në qeverisje, pra drejtësi, barazi dhe luftë të pa kompromis kundër krimit e korrupsionit në çdo cep të Republikës”, deklaroi kryeministri.

Njëmbëdhjetë projektligjet e miratuara në mbledhjen e sotme:

1. Projektligji për aktet juridike i cili përcakton llojet dhe hierarkinë e akteve juridike, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin e parimeve dhe standardeve për hartim, miratim, konsolidim, korrigjim, publikim dhe zbatim të akteve juridike. Dispozitat e këtij Projektligji janë të zbatueshme për të gjitha institucionet publike të nivelit qendror dhe lokal në Republikën e Kosovës që janë autoritete kompetente për nxjerrjen e akteve juridike. Dispozitat e këtij Projektligji nuk zbatohen për aktet administrative të përcaktuara me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.

2. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore. Qëllimi i këtij Projektligji është ndryshimi dhe plotësimi i këtij ligji përmes adresimit të çështjes që ndërlidhet me përjashtimet, kufizimet, shpërndarjen proporcionale të lëndëve përmbarimore kur palët në procedurë janë institucionet publike dhe synohet të rritet efikasiteti në procedim të lëndëve përmbarimore, ulja e kostove të procedurës dhe zvogëlim i dëmit që mund t’i shkaktohet debitorit nga procedura përmbarimore.

3. Projektligji për kompensimin e viktimave të krimit i cili ka për qëllim të rregullojë funksionimin e Programit për kompensimin e viktimave të krimit dhe procedurat që lidhen me këtë program. Projektligji rregullon të drejtën e kompensimit financiar të viktimave të veprave të dhunshme penale dhe të vartësve të tyre. Përcakton autoritetet vendimmarrëse si dhe procedurat për realizimin e të drejtës për kompensim. Si vepra të dhunshme të kompensueshme janë të gjitha veprat që rezultojnë me vdekjen e viktimës, lëndimin e rëndë trupor, dëmtimi i rëndë i shëndetit fizik apo mendor. Projektligji përcakton zgjatjen e afateve të aplikimeve, llojet e dëmeve të kompensueshme, lartësinë e kompensimeve, qasjen e menjëhershme në kompensim dhe rregullon përbërjen e Komisionit për Kompensim.

4. Projektligji për deklarimin e prejardhjes dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave që ka për qëllim rregullimin e sistemit të deklarimit të pasurisë duke përfshirë mënyrat dhe procedurat e deklarimit të pasurisë dhe dhuratave, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së deklaruar dhe të dhuratave si dhe subjektet deklaruese me qëllim të parandalimit të korrupsionit, konfliktit të interesit dhe fuqizimin e integritetit të institucioneve publike. Projektligji përfshinë edhe sanksionimin e shkeljeve të evidentuara nga kontrollet. Ky Projektligj përmbyll reformën e pakos së ligjeve që lidhen me luftën kundër korrupsionit.

5. Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile mes Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Projektligji ka për qëllim ratifikimin e marrëveshjes së nënshkruar midis dy vendeve më 25 gusht 2021, në Prishtinë. Kjo Marrëveshje zbatohet, parimisht, për të gjitha çështjet civile, procedurat lidhur me statusin, marrëdhëniet familjare, të punës, trashëgimisë, pronës dhe marrëdhëniet tregtare të personave fizik dhe juridik.

6. Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e bashkimit HORIZON EUROPE – korniza e programit për kërkim dhe inovacion. Sipas Marrëveshjes, Kosova do të marrë pjesë në Programin HORIZON EUROPE sipas afateve dhe kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje.

7. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale. Ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale përcaktojnë statusin ligjor të komunave, kompetencat dhe parimet e përgjithshme të financave komunale, organizimin dhe funksionimin e organeve komunale, marrëdhëniet ndër komunale duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe marrëdhëniet mes pushtetit lokal dhe qendror. 8. Projektligjin për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë, që ka për qëllim ngritjen e cilësisë së shërbimeve të komunave përmes matjes së performancës së komunave në ushtrimin e kompetencave vetanake, duke garantuar në të njëjtën kohë mbështetje financiare të bazuar në nivelin e arritur të shërbimeve të ofruara. Përmes këtij ligji përcaktohen parimet, rregullat, procedurat dhe standardet e matjes së performancës së komunave, si dhe funksionimi i grantit të bazuar në performancë.

9. Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit mes Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale”.

10. Projektligjin për Agjencinë Kosovare për Akreditim që rregullon funksionimin e kësaj Agjencie si organ rregullator i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

11. Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Evropa Kreative”.

Go to TOP