“Të bashkuar, unik” – Valon Prestreshi njofton kandidaturën për deputet nga LDK
Ekonomisti dhe veprimtari, Valon Prestreshi, ka njoftuar se është propozuar nga Dega II e LDK-së në Prishtinë për kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Prestreshi tha se këtë kandidaturë e pranon me “përgjegjësi të lartë dhe mirënjohje të thellë” duke theksuar se besimi i është dhënë nën “shkronjat e arta të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
Ai ka falënderuar kryetarin e Degës II të LDK-së në Prishtinë, Florian Dushi, si dhe Kryesinë e Degës, të cilën e cilësoi si një nga strukturat më aktive dhe më të përkushtuara të partisë.
Prestreshi e nisi mesazhin e tij me një thënie të akademikut Sabri Hamiti: “Të bashkuar, unik, sepse të bashkuar është emëruesi unik është numëruesi”.
Ai bëri të ditur se në ditët në vijim pritet edhe zyrtarizimi i listave dhe kandidaturave për zgjedhjet parlamentare duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm politik për vendin. /Kosova.info/
