Taravari: 20 pacientë nga Koçani janë në gjendje kritike

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka bërë të ditur se 20 pacientë nga zjarri në Koçan janë në gjendje kritike.

“Ka mjaftueshëm gjak në të gjitha spitalet. Shpresoj që të shpëtojnë të gjithë fëmijët. Në Bullgari, Turqi dhe Serbi do të dërgohen disa nga pacientët. Ndihmë kanë ofruar edhe Shqipëria dhe Holanda”, ka theksuar Taravari.

Sipas tij, bëhet fjalë kryesisht për djegie, por ka edhe disa pacientë me fraktura. “Në Shtip ndodhen 39 pacientë, disa prej tyre me djegie të shkallës së dytë”, ka deklaruar Taravari.

Mbi 150 të lënduar si pasojë e zjarrit në diskotekë në Maqedoni të Veriut

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se 152 pacientë janë duke u trajtuar në spitale nëpër vend si pasojë e zjarrit që ndodhi në diskotekën në qytetin Koçani në orët e hershme të së dielës. Nga të lënduarit 18 janë në gjendje kritike.

“Ministria e Shëndetësisë siguron publikun se gjitha resurset janë vënë në dispozicion dhe asnjë pacient s’do të mbetet pa kujdesin e nevojshëm. Shpëtimi i jetëve dhe ofrimi i kushteve më të mira të mundshme për rikuperim për të lënduarit mbesin prioritet i yni”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook. 

Si pasojë e zjarrit 59 persona janë raportuar të vdekur deri më tash. /Kosova.info/


Go to TOP