Takimi i nesërm në Bruksel për dinarin, Kurti: Zëvendësi im nuk mund ta negociojë rregulloren e BQK’së

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se zëvendësi i tij, kryenegociatori Besnik Bislimi, në takimin e nesërm në Bruksel nuk mund të negociojë për rregulloren e Bankës Qendrore që përjashton dinarin nga përdorimi.

Kurti, në një deklarim për media para komunës së Mitrovicës së Veriut, ka thënë se vendimi tashmë është marrë dhe se duhet të shohë mos të ketë pasoja.

“Unë e kam thënë mendimin tim dhe ne i mbahemi nën dhe prapa Bankës Qendrore. Kur ishte problemi me targat atëherë Ministri Svecla dhe unë kemi qenë në linjën e parë, tash s’jemi. Unë nuk jam kryeministër që vendos për BQK’në. Pushtetet janë të ndara në Kosovë, ne nuk jemi shtet autokratik si Serbia ku një njeri vendos për të gjitha. Pra, ka një vendim, një rregullore të BQK’së dhe ne jemi këtu si qeveri për t’i ndihmuar. Për këtë arsye zëvendësi im, Besnik Bislimi, nuk mund të negociojë për atë rregullore. Vetëm nëse ka ndonjë pasojë që askush s’e do atëherë hajde të shohim se çka mund të bëjmë që të ketë një tranzicion sa më të mirë e sa më të shpejtë. Ne nuk jemi bartës të këtij vendimi të ri të BQK’së, në këtë kuptim ngjarja kryesore tashmë ka ndodhur, tash jemi në fazën post festum dhe duhet të shohim që të mos ketë asnjë pasojë”.

Kurti ka përsëritur se problemi i Beogradit nuk është mospërdorimi i dinarit, por pagesat që janë bërë në cash.

“Unë insistoj në atë se Beogradi zyrtar s’e ka gajle a është dinari a euro. Nuk ka asnjë serb në Kosovë që ka thënë s’dua euro sepse 33 mijë xhirollogari I kanë serbët në Kosovë dhe marrin ndihma të ndryshme nga qeveria jonë. Asnjë serb s’ka thënë s’dua euro, nga ana tjetër askush s’ka thënë veç dinar dhe asgjë tjetër. Për këtë arsye unë them se ky është problem artificial. Problem kryesor është se ata insistojnë në cash”.

Go to TOP