Takimi i Këshillit të Sigurisë në Serbi, Maqedonci: Shqetësuese pjesëmarrja e komandantëve të dyshuar për sulmin në Banjskë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka komentuar takimin e fundit të Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

Ministri u shpreh se përveç anëtarëve të përhershëm, kanë marrë pjesë edhe Nenad Zoniq, Komandant i Brigadës 63 të Parashutistëve; Miroslav Talijan, Komandant i Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, Tioslav Jankoviq, Shef i Drejtorisë së Operacioneve (J-3), Dusko Zarkoviq Komandant i Forcave Ajrore dhe Milosav Simoviq, Komandant i Forcave Tokësore të Forcave të Armatosura të Serbisë (FAS).

Maqedonci përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ky takim është thirrur me urgjencë nga Aleksandar Vuçiq, vetëm dy ditë pasi kryeministri Albin Kurti bëri publike lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Ky takim është thirrur me urgjencë nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, vetëm dy ditë pasi kryeministri i Republikës së Kosovës kishte denoncuar publikisht provokimet e njësive të specializuara të FAS në afërsi të kufirit me Kosovën dhe një ditë pasi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka bërë të qartë Serbisë se janë duke monitoruar lëvizjet e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën dhe se përdorimi i forcës do të ishte i pa pranueshëm”, ka shkruar Maqedonci.

Ministri e ka konsideruar si shqetësuese përbërjen e këshillit. Ai thotë se në takim ka qenë prezent komandanti i dy brigadave që dyshohet se ka realizuar përgatitjen dhe trajnimin e anëtarëve të organizatës “Mbrojtja Civile/ Brigada e Veriut”, të cilët më pas morën pjesë në sulmin në Banjskë.

“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përdorur si pretekst të thirrjes së kësaj mbledhje, sulmin terrorist në Moskë, por ajo çfarë është shqetësuese në përbërjen e këtij Këshilli, është prezenca e Komandantit të Brigadës 63 të Parashutistëve dhe Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, formacione ushtarake këto që dyshohet që kanë realizuar përgatitjen dhe trajnimin e qindra anëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile/Brigada e Veriut”, e të cilët më pas morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Zveçanit”, ka deklaruar Maqedonci.

Go to TOP