Tajlanda gjen drogë me vlerë të gati 30 milionë dollarëve në thasë të boksit

Autoritetet tajlandeze kanë konfiskuar metamfetaminë me vlerë të tregut të rrugës prej gati 30 milionë dollarëve. Droga ishte fshehur në thasë që përdoren për ushtrime në sportin e boksit, të nisur drejt Australisë.

Zyrtarët e doganës e inspektuan dërgesën pas dyshimeve për pajisjet trajnuese të prodhuara në Tajlandë e që nuk kërkohen shumë në Australi, thanë zyrtarët tajlandezë e australianë në një konferencë për gazetarë në Bangkok.

Më shumë se 193 kilogramë drogë ishin të fshehur në 15 qese të ndryshme, shkruan CNN.

“Australia konsumon rreth 11 tonë metamfetaminë në vit. Pra, ekziston tregu për të dhe pengimi i saj në vende të huaja si Tajlanda është fantastik”, tha zyrtari i forcave kufitare australiane, Joel Carruthers.

I ashtuquajturi “Trekëndëshi i Artë” – zonë mes Mianmarit verilindor, Tajlandës e Laosit – ka histori të gjatë si zonë për prodhim të madh të drogës.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim, prodhimi i metamfetaminës është rritur ndjeshëm në vjetët e fundit. Të dhënat e kësaj zyre tregojnë se konfiskimi i metamfetaminës në Azinë Lindore dhe Juglindore është rritur për 19 për qind nga viti 2019 në vitin 2020, duke shkuar në nivel rekord.

Go to TOP