Sveçla me njoftim të rëndësishëm rreth pajisjes me letërnjoftime

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se deri në fund të këtij viti pritet normalizimi i gjendjes sa i përket pajisjes me letërnjoftime për qytetarët e Kosovës.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se një nga arsyet e vonesave të pajisjes me letërnjoftime ka qenë edhe mungesa e çipave nga ana e furnizuesit, si dhe ka shtuar se ka qenë e ditur se deri në fillimn të dhjetorit kjo gjendje nuk do të shkonte drejt normalizimit.

“Menjëherë pas marrjes së detyrës së Ministrit të MPB-së në fund të muajit mars 2021, jam njoftuar për nevojën e pajisjes me dokumente personale. Po ashtu, jam njoftuar edhe me rrezikun e mbetjes pa dokumente personale për një periudhë të panjohur si shkak i mungesës globale të çipave elektronik. Çipat e letërnjoftimeve të Kosovës janë më të avancuar dhe nuk përdoren nga shumë shtete. Si pasojë, prodhuesi nuk kishte mundësi të furnizohej me çipa të letërnjoftimeve për të përmbushur nevojat e Kosovës për një periudhë indikative deri në fillim të dhjetorit 2021”, shkruan ai në Facebook.

Sveçla ka bërë të ditur se furnizimi me letërnjoftime do të bëhet vetëm për raste emergjente si “udhëtimet tokësore përmes Serbisë, rastet e trajtimeve shëndetësore jashtë Kosovës, rastet e shkollimit jashtë Kosovës dhe pajisjen me letërnjoftime për 18 vjeqarët që aplikojnë për herë të parë.”

Sipas Sveçlës ministria që ai drejton ka arritur marrëveshje për furnizim me pajisjet e nevojshme dhe ka kursyer rreth 1,382,400 euro vetëm në mirëmbajtje.

“Aktualisht në ARC ka rreth 70,080 aplikime për letërnjoftime, ndërsa në stok gjenden 57,775 letërnjoftime. Në baza ditore, ARC personalizon 3000 letërnjoftime dhe ne parashikojmë që deri në fund të këtij viti të normalizojmë pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime. Në fund të këtij viti, ne do të kemi edhe furnizime të reja dhe nuk parashohim asnjë problem lidhur me pajisjen me letërnjoftime për qytetarët tanë”, shton Sevçla.

Go to TOP