Rivotimi përmes postës për kryetar të Dragashit nis më 29 nëntor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që periudha për përsëritjen e votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Dragashit të fillojë me 29 nëntor dhe të përfundojë më 13 dhjetor 2021.

Përplasje mes anëtarëve të KQZ-së shkaktuan opsionet që Sekretariati i KQZ-së ofroi se kur duhet të fillojë votimi përmes postës, e që opsioni i parë ishte që të fillojë më 26 nëntor dhe të përfundojë më 10 dhjetor, ndërsa opsioni i dytë të fillojë më datën 29 dhe të përfundojë më 13 dhjetor.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, tha se kanë bërë të gjitha përgatitjet konform vendimit që kanë pranuar nga ana e Gjykatës Supreme.

Ai tha se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm votuesit të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik-18 gusht 2021, e që numri i votuesve jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit është 1 mijë e 90 votues.

“Njëri rekomandim është që të fillojë me datën 26 nëntor dhe të përfundojë me datën 10 dhjetor dhe rekomandimi i dytë është që të fillojë më datën 29 nëntor dhe të përfundojë më datën 13 dhjetor kur është data e fundit kur duhet të dërgohen të gjitha zarfet apo pakot e supozuara me fletëvotime në adresën e KQZ-së. Krahas kësaj e kemi edhe një rekomandim tjetër që lidhet me dizajnin e fletëvotimit që do të përdoren në rivotimin në Komunën e Dragashit”, tha ai.

Këto dy opsione nuk gjetën përkrahje nga anëtarët e KQZ-së, ku disa nga anëtarët opsionin e parë e quanin të shpejtë, ndërsa opsionin e dytë si të vonshëm.

Anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, u shpreh se përkrah datën 29 nëntor si datë për fillimin e votimit përmes postës, derisa tha se gjetjet e Gjykatës Supreme duhet të merren parasysh dhe të punohet që ato të mos evidentohen edhe në këtë raund.

Me këtë propozim nuk është pajtuar anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi, i cili tha se duhet të gjendet një datë e ndërmjetme mes dy propozimeve të Sekretariatit, e që si propozim e dha datën 27 nëntor.

Ndërkaq, anëtari i LVV-së në KQZ, Alim Rama tha se ky proces i rivotimit duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se nëse Sekretariati është i gatshëm atëherë rivotimi mund të fillojë qysh nesër.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për të rekomanduar kandidatin e radhës, Dragana Antonijeviq, nga subjekti politik Lista Serbe që do të zëvendësojë deputetin e deritashëm Ivan Todosijeviq, i cili ka aktgjykim të formës së prerë.

Ndryshe, Gjykata Supreme ka urdhëruar KQZ të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.

Gjykata ka pranuar pjesërisht ankesën e kandidatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ndërsa ka vendosur që të përsëritet votimi nga jashtë, duke refuzuar kërkesën e Xheladinit, që votat nga diaspora të përfshihen në rezultatin final të raundit të dytë të zgjedhjeve në këtë komunë.

Votat e diasporës në votimet e raundit të dytë për zgjedhjet lokale të 17 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash. Pas numërimit të votave nga mërgata i pari në garë ka dalë Behxhet Xheladini nga LDK, ndërsa me vota të rregullta këtë komunë e kishte fituar Shaban Shabani nga PDK.

Go to TOP