Sveçla ‘hedh topin’ tek presidentja për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve: Ajo merr vendimin e duhur

Autoritetet zgjedhore në Kosovë po vazhdojnë aktivitetet e tyre për organizimin e zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – që janë caktuar të mbahen në veri më 18 dhjetor.

Por, për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve.
I fundit që kërkoi këtë nga Kosova ishte këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili tha për Zërin e Amerikës se SHBA-ja mendon se “nuk është koha e duhur për zgjedhje” për shkak të dhunës në veri.

Ministri i Brendshëm, Xhalal Sveçla për RTK tha se ky apel i SHBA-së do të trajtohet me seriozitet, teksa shtoi se tani institucionet kompetente po bëjnë vlerësimet e sigurisë, në mënyrë që më pas presidentja e vendit të mund të marrë vendim për shtyrje ose jo të votimeve.

“Ne patjetër që në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, me vendet partnere dhe natyrisht se me seriozitetin maksimal do të merren parasysh edhe këto apele që po vijnë nga SHBA-ja, por mund të vijnë edhe nga vende të tjera. Megjithatë, për të marrë vendimin e duhur është presidentja e Kosovës ajo e cila, në bazë të vlerësimeve të të gjitha institucioneve të cilat janë meritore për të dhënë rekomandime, do të marrë vendimin e duhur”, tha Sveçla.

Ai shtoi se beson se Policia e Kosovës ka kapacitete të duhura për të ofruar siguri edhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në veri u shpallën pas largimit të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në veri, për shkak të kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është në pritje të vlerësimit të sigurisë dhe të kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve. Ajo ka thënë se më pas do të mbajë konsultime me partitë politike dhe vetëm nëse ka konsensus, mund t’i shtyjë votimet.

Go to TOP