Java nis me diell, nga e mërkura priten shtrëngata lokale – temperaturat deri në 32°C
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se java 13–17 korrik do të karakterizohet nga mot relativisht i qëndrueshëm, me alternim të intervaleve me diell dhe vranësirave të herëpashershme, ndërsa nga mesi i javës temperaturat do të shënojnë rritje graduale.
Sipas parashikimit, të hënën dhe të martën do të mbajë mot kryesisht me diell, me temperatura maksimale që do të lëvizin nga 24 deri në 30 gradë Celsius.
Nga dita e mërkurë deri të enjten pritet zhvillim i vranësirave konvektive, të shoqëruara vende-vende me riga shiu, shtrëngata afatshkurtra dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat maksimale gjatë kësaj periudhe do të arrijnë deri në 32 gradë Celsius.
Të premten moti pritet të stabilizohet sërish, me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa temperaturat do të lëvizin nga 28 deri në 32 gradë Celsius.
IHMK vlerëson se kushtet agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Reshjet e pritshme në mesjavë pritet të përmirësojnë lagështinë në shtresën sipërfaqësore të tokës, ndërsa fermerëve u rekomandohet që spërkatjet me preparate fitosanitare t’i planifikojnë jashtë periudhave me reshje.
Sa i përket kushteve biometeorologjike, ato do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës. Megjithatë, në ditët më të nxehta rekomandohet shmangia e ekspozimit të zgjatur në diell, konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve dhe kufizimi i aktiviteteve fizike intensive gjatë orëve të mesditës. Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, ndërsa gjatë shtrëngatave të mundshme të shmanget qëndrimi në hapësira të ekspozuara. /Kosova.info/
| Komuna (Qyteti) | 15.07.2026 | 16.07.2026 | 17.07.2026 | |||
| Temp. Min. 0C | Temp.Max 0C | Temp. Min. 0C | Temp.Max 0C | Temp. Min. 0C | Temp.Max 0C | |
| Prishtinë | 13 | 31 | 14 | 29 | 14 | 31 |
| Pejë | 13 | 31 | 14 | 29 | 14 | 31 |
| Prizren | 14 | 32 | 15 | 30 | 15 | 32 |
| Gjakovë | 14 | 32 | 16 | 30 | 15 | 32 |
| Istog | 14 | 32 | 16 | 30 | 15 | 32 |
| Junik | 13 | 31 | 15 | 29 | 14 | 31 |
| Dragash | 11 | 28 | 11 | 26 | 11 | 28 |
| Ferizaj | 12 | 30 | 13 | 28 | 13 | 30 |
| Gjilan | 12 | 30 | 13 | 28 | 13 | 30 |
| Kamenicë | 12 | 31 | 13 | 28 | 13 | 31 |
| Besianë | 12 | 30 | 13 | 28 | 14 | 30 |
| Mitrovicë | 12 | 30 | 13 | 29 | 14 | 30 |
| Malishevë | 13 | 31 | 14 | 29 | 15 | 31 |
