Sunderland ndal Arsenalin në një përballje dramatike
Brian Brobbey u shndërrua në heroin e Sunderlandit, pasi shënoi golin e barazimit në minutën e 94-të duke i dhënë skuadrës së tij një pikë të çmuar ndaj liderit të Premier League, Arsenal.
Dueli mes Sunderlandit dhe Arsenalit u mbyll baras 2-2, duke zgjatur serinë e rezultateve pozitive të Sunderlandit në shtëpi në gjashtë ndeshje radhazi.
Siç pritej, Arsenali nisi më mirë takimin, duke kontrolluar posedimin dhe duke krijuar rastin e parë përmes një goditjeje dënimi të Declan Rice, por portieri Robin Roefs reagoi mirë.
Vendasit u kundërpërgjigjën shpejt: pas një rasti të humbur nga Wilson Isidor, ishte Daniel Ballard — produkt i akademisë së Arsenalit — që shënoi golin e parë të takimit. Pas një krosimi nga këndi dhe një topi të devijuar nga Nordi Mukiele, Ballard gjuajti fort në rrjetë, duke i dhënë fund serisë prej tetë ndeshjesh pa pësuar gol të “Topçinjve”.
Arsenali u përpoq të reagojë përpara pushimit, por William Saliba humbi një rast të artë në minutat shtesë të pjesës së parë, kur gjuajti mbi traversë nga një pozicion ideal.
Në pjesën e dytë, ekipi i Mikel Artetës shtoi presionin. Martin Zubimendi dhe Bukayo Saka provuan me goditje të rrezikshme, ndërsa ky i fundit barazoi në minutën e 61-të pas një aksioni të kombinuar me Mikel Merinon, duke shënuar me këmbën e djathtë. Pas golit, Arsenali vazhdoi dominimin dhe Leandro Trossard përmbysi rezultatin me një goditje precize në këndin e sipërm të portës.
Kur dukej se miqtë do ta mbyllnin ndeshjen me fitore, Stadium of Light shpërtheu në minutën e 94-të. Një top i gjatë u devijua në zonë, dhe Brobbey, me një reagim të shpejtë e një finte akrobatike, e mposhti portierin David Raya për 2-2.
Në sekondat e fundit, portieri Roefs u bë sërish hero, duke ndalur një goditje me kokë të Riccardo Calafiorit dhe duke ruajtur barazimin.
Arsenali kryeson Premier League-n me 26 pikë, shtatë më shumë së Sunderlandi që renditet e treta.
