Sulmi terrorist në Ankara, Gërvalla: Kosova solidarizohet me Turqinë

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar për sulmin i cili u cilësua si terrorist në Turqi.

“E pikëlluar dhe e tmerruar thellësisht nga sulmi terrorist në ambientet e Industrisë Hapësinore Turke (TUSASh) në Kahramankazan, Ankara. Shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për familjet e viktimave dhe urimet tona më të mira për shërim të shpejtë për të lënduarit”, shkroi Gërvalla në X.

Ajo ia rikonfirmoi Turqisë solidaritetin e shtetit të Kosovës.

“Në këto kohë sfiduese, Kosova rikonfirmon solidaritetin e saj me Turqinë, mikun dhe aleatin tonë të ngushtë, dhe dënon terrorizmin në të gjitha format e tij”, përfundoi Gërvalla.

Është raportuar se 5 persona janë vrarë, ndërsa janë “neutralizuar” edhe dy nga sulmuesit që iu sulën ambienteve të kompanisë shtetërore e hapësirës ajrore turke. /Kosova.info/

Go to TOP