Si pasojë e një sulmi ajror rus në orët e para të 28 gushtit, zyra e Radios Evropa e Lirë në Kiev pësoi dëmtime.
Dritaret e disa hapësirave të redaksisë u thyen, ndërsa u dëmtua edhe një pjesë e pajisjeve teknike.
Të plagosur nuk ka. /REL/
Në një video nga kamerat e sigurisë, e publikuar në rrjetet sociale, shihet qartë se shpërthimet pranë zyrës së Radios Evropa e Lirë në Kiev u shkaktuan nga dy raketa që goditën drejtpërsëdrejti.Raketat ranë mbi ndërtesa civile, shumë afër redaksisë së Radios Evropa e Lirë.Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Steve Capus, tha se “dëshmitarët e ngjarjeve në Ukrainë nuk duhet të lëndohen kurrë”.“Edhe pse zyrat e REL-it pësuan dëme, jemi me fat që duket se asnjë nga punonjësit tanë nuk është plagosur. Të jeni të sigurt se gazetarët tanë do të vazhdojnë punën e tyre jetike. Lutjet tona janë për familjet e atyre që u vranë dhe u plagosën në këto sulme, si dhe për ekipet e ndihmës së parë të Ukrainës”, tha Capus.Dëme pësoi edhe ndërtesa e zyrës përfaqësuese të Bashkimit Evropian, në afërsi. Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, e dënoi sulmin.Së paku 15 persona humbën jetën, përfshirë edhe tre fëmijë, nga sulmi masiv i forcave ruse në Kiev dhe qytete tjera të Ukrainës. Dhjetëra të tjerë u plagosën.Data 29 gusht u shpall ditë zie në Kiev.Numri i viktimave pritet të rritet derisa ekipet për shpëtim punojnë në vendngjarje për t’i nxjerrë njerëzit e mbetur nën rrënoja.Sulmi ndodhi në kohën kur përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës mbi trivjeçare në Ukrainë, po hasin në vështirësi.“Rusia i zgjedh raketat balistike në vend të tryezës së bisedimeve”, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Rusia vazhdimisht mohon se sulmon objektivat civile.