Stomatologu i QMF-së në Lipjan denoncohet në Polici, dyshohet se s’i ofroi shërbim një gruaje

Punonjësit shëndetësorë në shumë raste janë denoncuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, duke u akuzuar nga pacientët për mos ofrime të shërbimeve të nevojshme si në institucione publike ashtu edhe private. Veprimet të tilla përbëjnë vepër penale dhe sanksionohen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Magurë të Lipjanit, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Magurë, ku një grua e komuniteti ashkali kishte shkuar të kërkojë ndihmë mjekësore në repartin e Stomatologjisë.

Por aty përpos që s’kishte marrë shërbimin mjekësor për të cilin shkoi, mjeku i këtij reparti, F.Sh., dyshohet se ka ofenduar dhe ka folur me tone të larta në drejtim të pacientes, të cilën e ka dëbuar nga ordinanca.
Përballë kësaj situate, 39-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje ngjarjen se si ka ndodhur.

Go to TOP