Stoltenberg: Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, të ndërmerren hapa konkretë për shtensionim të situatës

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, teksa ka folur për situatën në veri të Kosovës, ka thënë se NATO dënon fuqishëm sulmet e fundit të paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri, në të cilat, u lënduan afro 40 paqeruajtës.

Në një intervistë për gazetën malaziase “Pobjeda”, Stoltenberg ka theksuar se sulmet e tilla janë të papranueshme, derisa shton se janë dërguar tashmë edhe 500 ushtarë të NATO-s në Kosovë.

“Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. Kemi dërguar në Kosovë edhe rreth 500 ushtarë tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në gatishmëri një batalion shtesë, që edhe ata të dislokohen sipas nevojës. Këto janë masa që të sigurohemi se KFOR-i ka forcën dhe aftësinë që i duhet për të përmbushur mandatin e tij. Misioni ynë KFOR do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u përkujdesur për një mjedis të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, u shpreh Stoltenberg.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet t’i ndërmarrin urgjentisht hapat për uljen e tensioneve.

“Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike. Si Prishtina, ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të shtensionuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e ndihmuar nga BE-ja, që është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Stoltenberg.

Në Kosovë këtë javë janë dislokuar një numër i ushtarëve turq të NATO-s.

Ai potencoi se NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Go to TOP