Moska nis stërvitje ushtarake për të provuar gadishmërinë bërthamore

Rusia ka nisur stërvitjen e saj vjetore bërthamore ndërsa shtohet retorika e Moskës për përdorimin e një arme bërthamore kundër Ukrainës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Moskën se përdorimi i armëve bërthamore taktike kundër Ukrainës do të ishte një “gabim shumë serioz”.

Rusia provoi gadishmërinë e saj ndaj një sulmi bërthamor të mërkurën, gjatë stërvitjeve vjetore që përfshijnë nëndetëset bërthamore, bombarduesit strategjikë dhe raketat balistike, ndërsa presidenti Vladimir Putin ndiqte manovrat përmes lidhjes me video.

Ditët e fundit Kremlini e ka akuzuar Ukrainën – pa prova – për planifikimin e një sulmi bërthamor me një të ashtuquajtur “bombë radioaktive”, të aftë për të shkaktuar vdekje masive dhe ndotje.

I pyetur nëse Rusia po përgatitet të nisë një sulm të tillë dhe të fajësojë Ukrainën, Presidenti Joe Biden u përgjigj.

((President Joe Biden))

“Rusia do të bënte një gabim tepër të rëndë nëse do të përdorte një armë bërthamore taktike. Nuk po konfirmoj se ka vendosur ta bëjë dhe të akuzojë më pas Ukrainën. Nuk e dimë. Por do të ishte një gabim shumë serioz”.

Në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby shtoi se…

((John Kirby, National Security Council Coordinator))

“…Ne nuk kemi parë asnjë tregues se rusët po bëjnë përgatitje për përdorimin e një bombe, apo përdorimin e armëve taktike bërthamore dhe kjo është e rëndësishme të thuhet.”

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov tha se nuk beson se Putini do të përdorë një armë bërthamore kundër vendit të tij.

((Oleksii Reznikov, Ukraine’s Defense Minister (English)))

“Mendimi im personal: Putini nuk do të përdorë armë bërthamore. Rusët bënë shumë marrëzi. Por ata vazhdojnë të jenë pragmatikë”, tha Oleksii Reznikov.

Ndërkohë në Kombet e Bashkuara të mërkurën, shefi i ndihmës emergjente Martin Griffiths tha se ai është “relativisht optimist” se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB-ja, që lejon një rifillim të eksporteve të grurit të Ukrainës në Detin e Zi, do të zgjatet përtej mesit të nëntorit. Zoti Griffiths tha se marrëveshja është në interesin më të mirë ekonomik të të gjithëve, duke përfshirë edhe atë të Rusisë.

((Martin Griffiths, UN Emergency Relief Coordinator))

“Nuk ishte menduar në atë kohë që do të ishte një operacion tërësisht humanitar. Ne e kuptuam qartë dhe mendoj se është vërtetuar se ndikimi i eksporteve nëpër Detin e Zi ka pasur një ndikim humanitar mbi çmimet, siç e dini, si dhe besimin. Pra po realizohet ajo që kemi negociuar”.

Kombet e Bashkuara po punojnë për të zgjatur marrëveshjen deri në një vit dhe për të përshpejtuar inspektimet e përbashkëta të anijeve nga zyrtarët e OKB-së, turq, rusë dhe ukrainas. Kohët e fundit, OKB-ja raportoi një ngarkesë prej më shumë se 150 anijesh që presin.

Marrëveshja për grurin është thelbësore për shumë nga vendet në zhvillim pasi sulmi rus i Ukrainës ka hyrë tashmë në muajin e tij të nëntë.

Go to TOP