Stano për kidnapimin e policëve: Çështje urgjente, po e ndjekim nga afër
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, e ka cilësuar “çështje urgjente” për Bashkimin Evropian rastin e rrëmbimit të tre policëve kosovarë të mërkurën.
I pyetur për kidnapimin e tre zyrtarëve të policisë kufitare të Kosovës, Stano tha se BE-ja është kontakt me të dyja palët.
Ai tha se këtë çështje urgjente Bashkimi Evropian është duke e ndjekur nga afër.
“Kjo është çështje që po e ndjekim nga afër dhe është një çështje urgjente. [Jemi] në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in që është i rëndësishëm në këtë kontekst për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Ne nxisim Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga ndonjë veprim apo reagim që do t’i kontribuonte tensioneve që janë të rritura”, tha Stano.
Më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Të nesërmen, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe në veri të vendit, për të cilët Prishtina pohon se janë rrëmbyer nga forcat policore të Serbisë.
Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
