Si e komentonte ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, vendimin e GjND-së?
Sot janë bërë 12 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e pati cilësuar atë ditë si të bekuar dhe se institucionet kosovare çmojnë shumë lartë urtësinë e mendimit këshilldhënës të GjND-së, njofton Klankosova.tv.
“Sot është një ditë e bekuar për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët e saj. Para pak çastesh Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin e saj për shpalljen e ligjshme të pavarësisë së Kosovës, populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës e mirëpresin dhe çmojnë shumë lartë urtësinë e mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” pati thënë Sejdiu.
Me 10 vota pro dhe 4 kundër anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Vendimi ishte lexuar nga Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në atë kohë, Hiasashio Ovada.
