Serbia shton arrestimet në kufij
Beogradi zyrtar vazhdon të përdorë mekanizma të ndryshëm, përfshirë edhe publikimin e listave të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe arrestimet arbitrare në kufi, për ta paraqitur Kosovën si një mjedis jostabil dhe të pasigurtë. Njohës të sigurisë e shohin këtë veprim si pjesë të fushatave të vazhdueshme të presionit politik ndaj Kosovës.
Publikimi i listave me emrat dhe të dhënat personale të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga organizata nacionaliste serbe e quajtur “Zemra e Heronjve”, nga ekspertë të fushës vlerësohet si një fushatë e qëllimshme për përhapjen e frikës dhe pasigurisë në Kosovë.
Kjo lëvizje nacionaliste serbe, me seli në Kralevë, ditë më parë publikoi lista me emra të personave, që sipas tyre pretendohet se kanë qenë pjesë e Brigadave 111 dhe 121 të UÇK-së.
Ky veprim shihet si vazhdimësi e fushatave të ndryshme për ta paraqitur Kosovën si vend të paqëndrueshëm dhe për të krijuar pasiguri te qytetarët e saj.
” Këtë e shoh si vazhdimësi të praktikave të këqija fare humane, fare fqinjësore, që i zhvillon Serbia dhe skenarëve të hartuara në Beograd për të denigruar Kosovën si vend jo stabil dhe përndjekur qytetarët e Kosovës me pretekst që kinse ushtarët e UÇK-së kanë bërë krime lufte që nuk është e vërtetë që asnjë rast s’po dëshmohet deri tani, po është një luftë speciale për të frikësuar, për t’i përndjekur qytetarët e Kosovës sepse historikisht Serbia e ka bërë një gjë të tillë veç forma dhe mënyra të ndryshme”, tha për RTK, Fatmir Çollaku, njohës i proceseve politike dhe sigurisë.
Të tjerë njohës të sigurisë thonë se rruga drejt vendeve perëndimore është një hapësirë ndërkombëtare që garantohet edhe nga liberalizimi i vizave, ndërsa masat e ndërmarra nga Serbia ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë forma të vazhdueshme të presionit politik.
“Përveç pjesëtarëve të UÇK-së për të cilët në vazhdimësi ata përsërisin forma dhe metoda duke shpalosur edhe fletë ndjekjet te Interpolit që ju kanë dështuar… të tjerët të vazhdojnë të qarkullojnë lirshëm sepse nuk mundet Serbia të na kufizojë lirinë e lëvizjes”, tha Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Që nga viti 2025 janë disa raste në të cilat autoritetet serbe kanë iniciuar procedura penale ndaj shtetasve të Kosovës, me akuza që lidhen gjoja me krime lufte. Me të njëjtat akuza në fillim të këtij muaji autoritetet serbe arrestuan Osman Selmanin në pikë kalimin kufitar me Serbinë, të cilit Gjykata e Lartë në Serbi ia caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
