Studentët e huaj e përshkruajnë Kosovën si një përvojë unike historike
Kosova po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj, duke u shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik në Ballkan.
Ndërsa numri i turistëve është në rritje, ekspertët vlerësojnë se sfida kryesore mbetet përgatitja institucionale për të përballuar këtë zhvillim.
“Vizita në Muzeun e Fëmijëve të Luftës ishte një përvojë që të prek thellë. Të ndihmon ta kuptosh më mirë historinë dhe si ajo vazhdon të jetë pjesë e jetës këtu…”, ka thënë një studente e huaja.
Kjo përvojë e fortë është pjesë e programit universitar “Grand Tour”. Një grup studentësh nga Universiteti i Amsterdamit kanë lënë sallat e leksioneve për të prekur historinë e Ballkanit, me ndalesë kryesore Kosovën.
“Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje janë njerëzit, janë jashtëzakonisht të ngrohtë. Kultura, ushqimi dhe atmosfera këtu e kanë bërë këtë udhëtim të paharrueshëm”, ka thënë studentja Kate Golden.
“Po e shijojmë shumë. Do të kalojmë disa ditë në Prishtinë, më pas në Prizren, para se të vazhdojmë drejt Malit të Zi dhe Shqipërisë”, ka thënë studenti Johannes De Koning.
Por Kosova nuk është më thjesht një zbulim i rastësishëm për studentët e huaj. Shifrat zyrtare tregojnë se vendi po kthehet në një destinacion të mirëfilltë turistik. Vetëm në maj, numri i turistëve të huaj u rrit me mbi 18 për qind. Megjithatë, a jemi të gatshëm për këtë hov?.
Sektori privat thotë se po. Investimet në akomodim dhe shërbime janë rritur, por pika e dobët mbetet diku tjetër.
“Si biznese private, qofshin hotele, operatorë apo gastronomi, jemi mjaft mirë të përgatitur. Mirëpo, sa i përket nivelit të organizimit shtetëror, fatkeqësisht ka mungesa të mëdha. Suksesi ynë varet nga tur-operatorët ndërkombëtarë që ta fusin Kosovën në paketat e tyre Ballkanike”, ka thënë eksperti Fisnik Dragusha.
Sfidat janë të mëdha, por po ashtu edhe pritshmërinë. Unioni i Turizmit po nis një skanim të plotë të kapaciteteve, me fokus të veçantë te hotelet dhe hotelet private Airbnb, përpara ngjarjeve të mëdha si Lojërat Mesdhetare.
“Tek pjesa e akomodimit, ne po e shohim që dita-ditës kemi edhe brende ndërkombëtare të cilat po vijnë dhe po ndërtojnë ose po hapin hotele në Kosovë. Edhe pjesa e numrit të Airbnb-ve në Kosovë e sidomos në kryeqytet është në rritje e sipër. Sa i përket pjesës së akomodimit, mendoj që për çdo aktivitet jemi të gatshëm dhe ka kapacitete të mjaftueshme sa i përket pjesës së akomodimit”, ka thënë kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti.
Me mbi 69 mijë vizitorë vetëm në një muaj, Kosova po dëshmon se nuk është më një stacion kalimtar, por një pikëtakim i rëndësishëm i turizmit ballkanik.
