Shtatore e re për Nënë Terezën, Veliaj: Vend lutjeje për besimtarët te liqeni

Së shpejti në Parkun e Gjelbër të Liqenit Artificial do të vendoset shtatorja e shenjtores shqiptare, Nënë Terezës si një vend lutjeje për të gjithë komunitetin e besimtarëve katolikë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndau lajmin për vendosjen e shtatores së Nënë Terezës, duke thënë se do jetë një vend lutjeje për të gjithë komunitetin e besimtarëve katolikë.

“Me Monsinjorin kemi diskutuar që, në kodrat e Liqenit, te vendosim një shtatore të Nënë Terezës, si një vend lutjeje e reflektimi. Shumë njerëz nuk e kanë fatin të prodhojnë shenjtorë, ne e kemi dhe ndonjëherë nuk reflektojmë aq sa duhet për këtë pasuri të madhe kombëtare. Qyteti i Tiranës, ashtu siç mori vendimin për t’i rikthyer Kishën e Shën Prokopit Kishës Ortodokse, tani do fillojë shumë shpejt vendosjen e shtatores për të përkujtuar Nënë Terezën, Shenjtoren që Shqipëria i dha botës. Është një kontribut i vogël për gjithë komunitetin e besimtarëve”, deklaroi kryetari i Bashkisë.

Pas Meshës në Katedralen e Shën Palit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uroi festën e Pashkëve.

“Secili prej nesh e ka një ditë reflektimi, për të kuptuar se kemi nevojë të bëhemi pak më të mirë, pak më të hapur, pak më të dëgjueshëm, pak më solidarë. Besoj se e kemi fuqinë, e kemi treguar që ne, si shqiptarë, kur bashkëpunojmë bëjmë gjëra të mrekullueshme”, uroi Veliaj. /TCh/

Go to TOP