Skandal në Trepçë: Punëtori me tumor përjashtohet nga puna, denoncon kërcënime nga komisioni
Bahri Brahimi, punëtor i Trepçës, ka bërë publike akuza të rënda ndaj menaxhmentit të ndërmarrjes pas shkëputjes së kontratës së tij të punës, pavarësisht gjendjes së rëndë shëndetësore. Ai thotë se vuan nga tumor dhe për shkak të trajtimit mjekësor nuk ka mundur të paraqitet në komisionin e punësimit, gjë që, sipas tij, është shfrytëzuar si arsye për largimin nga puna.
Në një intervistë për Kosova Live në T7, Brahimi deklaroi se është kërcënuar nga disa anëtarë të komisionit duke iu mohuar e drejta e punësimit. Ai përmendi edhe emrat e personave që, sipas tij, ushtruan presion ndaj tij.
“Gjendjen time shëndetësore e dinë të gjithë punëtorët, e di edhe menaxhmenti. Por unë u përjashtova nga puna. Për më tepër, më kanë kërcënuar”, tha Brahimi.
Ai shtoi se ndërkohë “dhjetëra persona marrin paga të plota pa u paraqitur asnjëherë në vendin e punës” duke e cilësuar këtë si padrejtësi flagrante dhe diskriminim të rëndë.
Ky rast ka ngjallur reagime dhe pritet të hapë debat mbi transparencën dhe praktikat e menaxhimit në ndërmarrjen Trepça, një prej aseteve më të rëndësishme ekonomike të vendit. /Kosova.info/
