Skandal në SHBA: Vuçiq kapet me emër të rremë në përpjekje për të hyrë në tubimin republikan, largohet me turp
Një skandal diplomatik me përmasa të jashtëzakonshme ka shpërthyer në Serbi pas raportimeve se Presidenti Aleksandar Vuçiq është përpjekur të hyjë në një konventë të Partisë Republikane në Florida, SHBA duke përdorur një emër të falsifikuar – “Aleks Vuçi”.
Gazeta serbe Danas shkruan se Lëvizja për Ripërtëritjen e Mbretërisë në Serbi (POKS) ka publikuar dëshminë e serbo-amerikanit Aleksandar Joviçiq nga organizata “Serbët për Trumpin 2024”, i cili pretendon se Vuçiq është ndaluar nga autoritetet amerikane pasi u identifikua me identitet të rremë.
“Vuçiqi është kapur me emër të falsifikuar në përpjekje për të marrë pjesë në konventën republikane. Më pas, atij i është kërkuar me ngulm të largohet nga SHBA”, deklaroi Vojislav Mihailoviq, kryetar i POKS dhe deputet në parlamentin serb.
Sipas tij, kjo përpjekje e Vuçiqit ka rezultuar në një “turp të madh diplomatik” për Serbinë dhe ka dëmtuar rëndë imazhin e saj ndërkombëtar. “Ai i ka turpëruar serbët në Amerikë dhe në mbarë botën”, shtoi Mihailoviq duke përkujtuar edhe raportet se Vuçiqi kishte financuar fushatën e Hillary Clinton – një fakt që, sipas tij, nuk harrohet nga Donald Trump.
Burimet po ashtu raportojnë se pas këtij incidenti, Vuçiq është paraqitur në spitalin ushtarak VMA në Beograd duke pretenduar probleme me tensionin e gjakut – çka po interpretohet nga kritikët si një përpjekje për të shmangur skandalin dhe për të fituar keqardhjen publike.
Në fund, të njëjtat burime nënvizojnë se vizitat e djalit të Donald Trump në Serbi, të realizuara kohët e fundit, nuk kanë qenë krejtësisht të natyrës spontane duke lënë të kuptohet se ato janë bërë me pagesë – megjithatë, detaje të mëtejshme për këtë nuk janë dhënë. /Kosova.info/
