S’ka vendim në Gjykatën Kushtetuese, mbetet në fuqi vendimi për Ballukun
Gjykata Kushtetuese, pas 11 orësh mbledhje, nuk arriti të merrte sot një vendim për çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, duke përfunduar në votim 4 me 4, i cili rrëzon ankimimin e Kryeministrit.
Qeveria kërkonte shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pezullimin nga detyra të Ballukut si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe GJKKO-së nga ana tjetër.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi njëzëri se “imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pika 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se “sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor”.
Në përfundim të diskutimeve, gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime. Sipas njërit qëndrim, “masa e pezullimit nga detyra, për nga shkalla dhe intensiteti i saj, prek funksionin kushtetues politik të ministrit” dhe për këtë arsye “edhe për këtë masë kërkohet autorizimi paraprak i Kuvendit”, me qëllim mbrojtjen e funksionimit të pushtetit ekzekutiv.
Ndërsa sipas qëndrimit tjetër, Gjykata vlerëson se “regjimi i imuniteteve duhet interpretuar në mënyrë të ngushtë, në përputhje me vullnetin e kushtetutëbërësit për zvogëlimin e imunitetit”, duke theksuar se Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht autorizim parlamentar për masën e pezullimit nga detyra.
“Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21:11 2024 te Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri.
“Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit te detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.
“Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj. Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues”, argumentoi Gjykata Kushtetuese.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së Kryeministrit dhe heqjen e masës së pezullimit nga detyra, të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12 dhjetor 2025. Për rrjedhojë rikthehet në fuqi masa e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren, njerazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun.
Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
Gjykata bëri të ditur se vendimi i arsyetuar do të shpallet brenda afateve ligjore, në përputhje me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
