Sindikata e Policisë përshëndet lirimin e pesë zyrtarëve: Drejtësi dhe dinjitet për çdo pjesëtar të Policisë së Kosovës
Sindikata e Policisë së Kosovës ka përshëndetur vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, e cila ka liruar nga masa e paraburgimit pesë zyrtarë policorë. Në një reagim zyrtar, Sindikata e vlerëson këtë vendim si një hap pozitiv në drejtim të respektimit të parimeve themelore të drejtësisë, përfshirë proporcionalitetin dhe prezumimin e pafajësisë, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Sindikata e Policisë gjithmonë ka qenë dhe mbetet përkrah ligjshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit. Por njëkohësisht kujtojmë se çdo zyrtar policor ka të drejtë të trajtohet me dinjitet dhe drejtësi, veçanërisht gjatë procesit hetimor, ku ende nuk është vërtetuar përgjegjësia penale,” thuhet në njoftim.
Sipas Sindikatës, Policia e Kosovës mbetet një institucion jetik për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ndaj çdo vlerësim i ngutshëm para përfundimit të hetimeve të plota, mund të dëmtojë integritetin profesional të punonjësve policorë dhe të sjellë pasiguri institucionale.
Në këtë kontekst, Sindikata e Policisë ka shprehur besim të plotë në sistemin e drejtësisë dhe ka bërë thirrje për respektimin e procesit gjyqësor në vijim pa paragjykime, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit.
Në fund, Sindikata ka falënderuar mbrojtësit ligjorë dhe familjarët për angazhimin e tyre dhe ka garantuar se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe sigurisë ligjore të secilit pjesëtar të Policisë së Kosovës. /Kosova.info/
