Sinani ndalohet në kufi, Kamberi: Serbia larg demokracisë
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se është ndaluar prapë në kufi nga policia serbe. Ndalimet e paarsyetuara në kufi, ajo i ka quajtur shkelje e të drejtave të njeriut.
“Pavarësisht reagimit tim, ndalesa ka vazhduar pa asnjë njoftim apo arsyetim të qartë. Ky incident është dëshmi e qartë se edhe pas kaq shumë ankesave e kërkesave të shumta ndaj institucioneve relevante dhe faktorëve ndërkombëtar, situate po mbetet po aq shqetësuese. Kështu më ka ndodhur edhe më herët sa isha qytetare e Preshevës, që angazhohesha politikisht për të drejtat e qytetarëve, por të ndodh si kryetare e komunës së Preshevës, të ndalohesh me makinë zyrtare është shpërfaqje e Serbisë së vërtetë, Serbisë që shkel të drejtat elementare e njeriut, lirinë e shprehjes dhe veprimit”, ka thënë ajo në videon e publikuar në pikën kufitare.
Për këtë ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka thënë se shteti serb po largohet nga demokracia.
“Listat e Vulinit po vazhdojnë të aplikohen edhe më tutje, Serbia gjithnjë e më shumë po largohet nga vlerat perëndimore e aplikimi i demokracisë. Sa keq për një shtet që pretendon të bëhet pjesë e BE-së”, ka shkruar ai.