Sinani bën thirrje që të parandalohen veprimet për bllokim të kufijve

Kryetarja e Preshevës, pas paralajmërimeve të serbëve për bllokim të kufijve me Kosovën ka thënë se këto veprime përbëjnë rrezik real dhe mund të shkaktojnë probleme.

Në një postim në Facebook ,Sinani ka thënë se çdo bllokim rruge nuk është vetëm një pengesë fizike, por një mesazh i qartë i imponimit të izolimit dhe distancimit edhe më të madh.

“Si Kryetare e Komunës së Preshevës, edhe pse vendkalimet në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë aktualisht nuk janë të bllokuara, unë jam thellësisht e shqetësuar me veprimet që kanë ngritur tensione dhe destabilitet në rajon. Komuna jonë ka një numër të madh studentësh dhe punëtorësh që çdo ditë udhëtojnë drejt Kosovës. Çdo akt i mbylljes së dhunshme, qoftë përmes protestave apo veprimeve të tjera, përbën një rrezik real që mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha”,ka shkruar ajo në Facebook.

Kjo situatë vetëm sa rëndon më tej pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme dhe duke i shtuar ndjenjën e izolimit një komuniteti që tashmë përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe shoqërore.

Ajo ka ftuar me urgjencë ambasadat e ShBA-së, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, dhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojnë dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershme për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj situate. /Kosova.info/

Go to TOP