Si u pasuruan kaq shpejt disa nga “komandantët” dhe politikanët tanë?

Shkruan: Skënder ShEHU

A nuk i dimë të gjithë se me çfarë pasurie jetonin para luftës?

Shumica në varfëri, disa fare pa asnjë pronë. Sot? Me vila, makina të shtrenjta, qindra hektarë tokë, biznese të lidhura me pushtetin dhe mafinë.

A e kemi pyetur ndonjëherë publikisht: prej nga kjo pasuri?

Ku janë deklarimet e pasurisë? Ku janë hetimet e prokurorisë? Ku janë ndëshkimet për ata që e bënë shtetin pronë personale?

Dhe më tragjikja: Pse populli nuk reagon?

Pse një pjesë ende i voton, i duartroket, i mbron në komente online? A është frika, varfëria, naiviteti — apo e kemi normalizuar hajninë?

Nuk ka shtet të drejtë pa drejtësi. Nuk ka demokraci pa vetëdije.

Dhe nuk ka të ardhme, nëse ata që e vodhën të kaluarën, e udhëheqin të ardhmen.

Arsyetimi i tyre i pa bazë!

Si është e mundur që dikush të marrë kredi 400,000-500,000 euro për një vilë luksoze dhe askush nuk pyet si do ta shlyejë ketë kredi ?

Në një vend ku paga mesatare mujore është rreth disa qindra euro, pyetja e thjeshtë është:

Me çfarë të ardhurash do të paguajë këto kredie?

Nëse pronarët e bizneseve, politikanët apo ish-komandantët nuk kanë burime të ligjshme të të ardhurave — si rrogat nga puna, fitimet nga biznesi i ligjshëm apo investime të dokumentuara — atëherë si arritën të marrin kredinë dhe si e mbulojnë?

Mund të ndodhë që:

Paratë vijnë nga ryshfeti, tenderë të pista, dhe para të fituara në mënyra të dyshimta;

Në Kosovë nuk kemi banka , kemi fajdegji të licencuat nga shteti dhe emerin e kanë Bank.

Në « bankat « tona mungon kontrolli i plotë i burimeve të fondeve;

Pasuritë po legalizohen me dokumente të falsifikuara ose të krijuara në mënyrë jo të ligjshme;

Kredia është marrë si formë lavazhi parash.

Pyetjet për Prokurorinë dhe Inspektoratet janë:

A po hetohen burimet reale të të ardhurave të këtyre personave?

A po verifikohen në mënyrë transparente dhe të pavarur këto kredi?

A ka mekanizma që parandalojnë lehtësimin e pasurimit të shpejtë dhe të paligjshëm?

Në vend që të mbrohen me “kredi bankare”, ata duhet të përgjigjen para ligjit me dokumente dhe llogari të qarta!

Populli ka të drejtë të dijë se si dhe me çfarë u pasuruan disa nga ata që i kanë shkatërruar shpresat tona për një të ardhme më të mirë.

Vetëm me transparencë dhe drejtësi të fortë mund ta ndalojmë këtë gjendje të mjerueshme në Kosoven tonë të dashur!


Go to TOP