Shujta të ngrohta për të vegjlit lëmoshëkërkues

Zymrije Voli gati çdo ditë përgatit ushqime të ngrohta për fëmijët që kërkojnë lëmoshë në rrugët e Prishtinës, apo edhe të ndonjë qyteti tjetër pranë.

Fëmijë të tillë janë qindra, që shtrijnë dorën në drejtim të të panjohurve.

Zymrija punon në një institucion që njihet si Qendra Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge, e ku mund të shërbehen prindër e fëmijë që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

E para e këtij lloji në Kosovë, qendra ka tre vjet që është hapur pranë qendrës së qytetit në Prishtinë dhe funksionon në kuadër të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve “Terre des hommes – Kosova”.

Zymrija, nga e hëna deri të premten, gatuan ushqime të llojllojshme – nga palapetat e supa deri te sallatat e gjellët.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se nuk e di saktë se sa persona ushqehen në qendër brenda një dite, por pohon se “gjithmonë ka mjaftueshëm”.

REL vizitoi qendrën më 15 nëntor, kur të pranishëm ishin rreth njëzet fëmijë, nga mosha katër deri në 16 vjeç.

Duart e disa djemve që vizitojnë qendrën.
Duart e disa djemve që vizitojnë qendrën.

Disa nxitonin për të ngrënë dhe për t’u kthyer prapë në rrugë.

Shumë prej tyre kërkojnë para nga kalimtarët, disa ofrojnë ndonjë shërbim të vogël – si larjen e xhamave të makinave që ndalen në semaforë – në këmbim të disa centëve.

Të pyetur nëse iu pëlqen ushqimi në qendër, ata thonë shkurtimisht: “Po”.

Atë ditë, ata kishin të vendosur në tryezë pjata me oriz, sallatë, lëngje pemësh dhe ujë.

“Qendra ka tre vjet që është hapur. Qëllim kryesor ka të reduktojë rreziqet dhe kohën që fëmijët e kalojnë në rrugë, duke e zëvendësuar atë me një shërbim të sigurt dhe mbrojtës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Egzona Gashi, koordinatore në këtë qendër.

Egzona Gashi, koordinatore e Qendrës Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge
Egzona Gashi, koordinatore e Qendrës Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge

Përveç shujtave, qendra ditore ofron mundësi për pastrim, ndërrim të rrobave, lojëra edukative, aktivitete arsimore e socializim.

Gashi thotë se, për tre vjet, rreth 250 fëmijë kanë marrë shërbime në këtë qendër dhe se shumica prej tyre nuk e ndjekin shkollimin e rregullt.

“Në këtë drejtim përpiqemi të ofrojmë shërbim të integruar, t’i fusim fëmijët në sistemin e rregullt edukativ. Kemi pasur një bashkëpunim të mirë me komunën e Fushë Kosovës, ku kemi iniciuar themelimin e klasave intensive brenda shkollave. Njëzet e pesë fëmijë të rrugës i kemi inkuadruar në shkollë”, thotë Gashi.

Sipas saj, deri në 90 për qind e tyre i takojnë komunitetit rom dhe ashkali.

Fëmijët duke zhvilluar aktivitete në qendër.
Fëmijët duke zhvilluar aktivitete në qendër.

“Askush nuk ka dëshirë ta zgjasë dorën”

Emrane Makreshi me djalin katër vjeç po ushqeheshin po ashtu në qendër.

Si pjesëtare e komunitetit ashkali, 32-vjeçarja është nënë e katër fëmijëve dhe vjen nga komuna e Obiliqit, e cila gjendet rreth dhjetë kilometra larg Prishtinës.

Emranja thotë se qendra “e ka shpëtuar”, duke i siguruar ushqim, veshmbathje dhe medikamente për fëmijë.

Ajo është nënë vetushqyese, thotë se merr një ndihmë sociale nga shteti prej 120 eurosh në muaj dhe se nuk mund të punojë, pasi i duhet të kujdeset për fëmijët.

Lëmoshë thotë se kërkon dy-tri herë në javë në rrugët e Prishtinës.

“Fëmijët nuk i lë të dalin në rrugë. Posa i siguroj 7-8 euro [nga lëmosha], sa për drekë apo darkë, menjëherë shkoj në shtëpi me autobus”, thotë ajo.

“Është shumë problem, sepse askush nuk ka dëshirë ta zgjasë dorën. Por, i sheh fëmijët tuaj keq, të kërkojnë gjëra të ndryshme. Është punë e vështirë lëmosha, sepse njerëzit nuk janë të njëjtë… Dikush të ofendon, të shanë, të largon, ose ka edhe raste kur të kërkojnë shërbim seksual”, rrëfen Emranja.

Ajo thotë se, e ndihmuar Qendra Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge, ka arritur që dy fëmijët e mëdhenj, 11 dhe 13 vjeç, t’i çojë në mësim intensiv në Obiliq. Ata, më herët, nuk kanë shkuar në shkollë, ndërsa dy të tjerët i ka të vegjël.

Pasi përfunduan ngrënien, fëmijët në qendër nisën provat për këndimin e një kënge të quajtur “Mos ua prishni lumturinë”.

Me tingujt e saj, ata përgatiteshin për të shënuar 20 nëntorin – Ditën Botërore të Fëmijëve.

Fëmijët duke kënduar në qendër.
Fëmijët duke kënduar në qendër.

Sa është numri i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë?

Të dhënat e Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë, tregojnë se në periudhën kohore janar-qershor 2022 janë identifikuar 140 fëmijë lëmoshëkërkues, të cilët janë nga Republika e Kosovës, ndërsa nga Republika e Shqipërisë është “një numër më i madh i tyre”.

“Në të shumtën e rasteve, këta fëmijë janë të shoqëruar nga prindërit e tyre apo janë të detyruar nga prindërit [të kërkojnë lëmoshë] apo nga persona të tretë”, thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë, UNICEF, paralajmëron se niveli i varfërisë pritet të rritet, për shkak të vështirësive ekonomike gjetkë, që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.

Në një raport të publikuar muajin e kaluar, UNICEF thotë se numrit të të varfërve në Kosovë pritet t’i shtohen mbi 41.400 të varfër – në mesin e tyre mbi 16.000 fëmijë.

Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova, me 1.7 milion banorë, ka numrin më të madh të qytetarëve që rrezikojnë varfërinë si rrjedhojë e pasojave të luftës në Ukrainë.

Go to TOP