Kosova fiton rastin kundër kompanisë financiare Iute Credit

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se Kosova e ka fituar rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbritazhit, kundër kompanisë financiare Iute Credit.

“Kemi arritur të kemi një epilog 100 për qind në favor të vendit”, tha Mehmeti në një konferencë për media më 19 nëntor.

IuteCredit e kishte dërguar Kosovën në Arbitrazh në fillim të vitit 2020, pasi BQK-ja më 6 dhjetor të vitit 2019, pati mbyllur Iute Credit për shkak, siç është thënë, normës se lartë të interesit që kishte zbatuar gjatë dhënies së kredive për klientët, duke mos respektuar kështu planin e biznesit.

Guvernatori i BQK-së, Mehmeti tha se në Arbitrazh u dëshmua që vendimi për revokim të licencës të IuteCredit ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.

“Gatë periudhës së operimit të Iute Credit në Kosovë ky institucion në vazhdimësi ka devijuar nga plani i biznesit në bazë të së cilit kishte marrë licencën për të operuar duke i sjell tregut diçka tjetër prej asaj që kishte premtuar”, tha Mehemti.

Iute Credit në planin e tyre të biznesit, normat efektive të interesit i kishte paraqitur prej 34 respektivisht 26 për qind, kurse sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore, ato kanë zbatuar norma efektive të interesit nga 80 deri në 236 për qind.

Iute Credit është kompani nga Estonia, e cila në tregun e Kosovës ka operuar dy vjet.

Në Kosovë sipas të dhënave të fundit të BQK-së, janë 30 institucione mikrofinanciare, prej tyre 13 me pronësi të huaj. Këto institucione kanë 149 njësi në gjithë territorin e Kosovës.

Institucionet mikrofinanciare japin pothuajse të gjitha llojet e kredive, sikur bankat komerciale, duke filluar nga kreditë për familje, kredi bujqësore, kredi për biznese, për renovim e po ashtu edhe kredi për regjistrim të automjetit.

Vlera e kredive, sipas BQK-së për muajin shtator në këto institucione ka arritur në 271 milionë euro.

Norma e interesit në kredi në këto institucione është 19.1 për qind.

Go to TOP