Shteti sekuestron hotelin e Veton Surroit dhe atë të Sabit Gecit

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar është duke vazhduar aksionin për sekuestrimin e objekteve të ndërtuara në Brezovicë, konkretisht në zonën e III-të, te Parkut Kombëtar “Sharri”.

Ky medium kosovar mëson se është sekuestruar hoteli i publicistit Veton Surroi dhe ai i Sabit Gecit.

Pronat e sekuestruara sot janë vazhdim i aksioneve të mëparshme.

Deri tani janë sekuestruar 75 objekte në pronësi të biznesmenëve e të politikanëve të ndryshëm.

Investitorët e kompanisë “Stella Consulting”, në të cilën publicisti Veton Surroi mban në pronësi 30 për qind të aksioneve, dyshohet se i ka dhënë ryshfet prej rreth 400 mijë eurove ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliç, në këmbim të lejeve ndërtimore në Brezovicë.

Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë në janar kanë njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

Në mesin e mjeteve të ngrira financiare, janë edhe ato të kompanisë “Stella Consulting” Sh.P.K., firmës private në bashkëpronësi të biznesmenit shqiptar Gentjan Sula dhe publicistit Veton Surroi.

Paparaci, ka mësuar se autoritetet e gjyqësisë kanë vendosur për bllokimin e xhirollogarive bankare të “Stella Consulting” Sh.P.K.

Prokurori i çështjes, Rasim Maloku pati thënë se shuma e ngrirë e mjeteve financiare, dyshohet se është përfituar përmes veprave penale.

“Ajo çka është më e rëndësishme, gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetorit deri sot, nga të dhënat financiare që kemi siguruar nga bankat që posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, tha ai.

Më 6 janar, Policia e Kosovës bastisi nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Go to TOP