Shteti nuk i pagoi rreth 3 milionë euro pagesa të kujdestarive për ushtarët e Kosovës

Borxhi i shtetit ndaj pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për orët shtesë të papaguara ka arritur në rreth 3 milionë vetëm gjatë vitit 2025.

Zyra Kombëtare e Auditimit në dokumentin e publikuar “Raporti i Auditimit Për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Mbrojtjes Për Vitin 2025”, ka gjetur se për shkak të mospagesës së shumës prej 2,869,999 euro nga detyrimet e Ministrisë së Mbrojtjes, kishte filluar procesi i padive nga pjesëtarët e FSK-së ndaj Ministrisë.

Madje, sipas dokumentit, edhe pse Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar fonde shtesë për të shlyer pagesat e orëve shtesë të ushtarëve, këto kërkesa nuk janë miratuar nga Ministria e Financave.

““Ministria, për punën e kujdestarive ka paguar pjesëtarët e FSK-së, vetëm për muajin janar 2025. Po ashtu, kompensimi me ditë pushimi, gjatë vitit është bërë për aq sa zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos ndikohet/pengohet. Ministria kishte bërë kërkesë në vazhdimësi në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve për ndarje të buxhetit shtesë për përmbushjen e obligimeve, por kjo kërkesë nuk kishte gjetur mbështetje. Bazuar në këto kërkesa vërehet se vlera e kujdestarive të papaguara për pjesëtarët e FSK-së për vitin 2025 kishte arritur 2,869,999€, dhe për shkak të mospagesës kishte filluar procesi i padive nga pjesëtarët e FSK-së ndaj Ministrisë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Raporti i referohet ndryshimit të rregullores Nr.10/2019 për orarin e punës në FSK, ku pritej të adresohen çështjet specifike të FSK-së lidhur me orarin e punës.

“Në vitin 2024 ministria kishte filluar plotësim ndryshimin e rregullores Nr.10/2019 për orarin e punës në FSK, ku pritej të adresohen çështjet specifike të FSK-së në lidhje me orarin e punës mirëpo as në këtë vit nuk është përmbyllë procesi i miratimit të rregullores”, thuhet në raport.

Tutje, në raport potencohet se me analizimin e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes në kategorinë paga dhe shtesa lidhur me paragrafin 3 të nenit 36 të Ligjit të Pagave që e kufizon vlerën e kompensimeve me vetëm 1% nga kjo kategori, situata me kompensimin e kujdestarive ndërlikohet për shkak se, siç thuhet në raport, vlera vjetore e lejuar e kompensimeve bazuar në buxhetin  e Ministrisë (Buxheti 50,442,169 x 1%= 504,421) as përafërsisht nuk i përmbush kërkesat që i ka prezantuar Ministria.

Ndryshe në raport theksohet se Ligji për pagat në Sektorin Publik nr.08L-196 në nenin 36 paragrafi 1, përcakton se zyrtarët publikë dhe kategoritë e tjera të të punësuarve që paguhen nga buxheti i shtetit, përfitojnë kompensim në vlerë momentare apo me pushim për punën me kujdestari, punën gjatë natës dhe jashtë orarit të punës, punën në fundjave, punën në ditët e festave zyrtare.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar: KËTU

Go to TOP