“M’kanë thanë pse nuk e ke myt, m’ka dalë para syve djali..”, Albert Kastrati rrëfen sulmin e të riut që iu fut në shtëpi

Qytetari nga Prishtina, Albert Kastrati ka dhënë detaje për personin që thotë se ka sulmuar me thikë anëtarë të familjes, e ku është plagosur rëndë nëna e tij 76-vjeçare.

Kjo ngjarje ka ndodhur më 10 qershor të këtij viti në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet, derisa Kastrati ka ndarë detaje në një shkrim në rrjetin social Facebook.

Në rastin e sulmit, ai ka thënë se në shtëpi kanë qenë ai, nëna, gruaja dhe djali i tij 3-vjeçar.

Kastrati ka thënë se e njeh personin që ka kryer aktin, gjithashtu edhe familjarët e tij.

“Ernestin e kom njoft kur ka ardhë i ri te Plisat, Batonin, nanën e tij dhe babën e ndjerë i njoh. Ernestin vetë nuk e kom pa gati 15 vjet.”, ka shkruar Kastrati.

Në një rrëfim paraprak, Kastrati kishte thënë se personi ka përmendur “Allahu Ekber” në momentin e aktit, derisa për këtë ka dhënë sqarime sot.

“Kur e kom përmend fenë, nuk e kom bo me ofendu askënd. Unë jam 47 vjeç dhe 34 Ramazana i kom agjëru. Arsyeja pse e kom përmend është se gjatë rastit ka bërtit “Allahu Ekber”, e edhe disa mesazhe që m’i ka çu mu dhe shokëve të mi nuk të lënë shumë hapësirë me mendu ndryshe.”, ka shkruar tutje Kastrati.

Ai ka thënë se personi vazhdimisht i kishte shkruar atij dhe shokëve të tij, por ja shtuar se nuk e ka marrë seriozisht.

“Një ditë para rastit e kom pa edhe nanën e tij, e ajo vetë më tregoi që ka ra në hall prej tij.”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, me atë person janë në hall edhe familjarët e tij.

“Po e shtoj edhe një gjë, shumë dojnë me e ditë arsyen pse ka arrit deri këtu e sidomos ata që nuk e njohin personin në fjalë. Mirëpo, e vërteta qëndron me gjendjen në të cilën ndodhet ai, sepse këtë dëm që ka pas familja ime nga ai ka qenë kërcenim i vazhdushëm për nanën e tij, vllaun e tij e persona të tjerë. Këto janë gjana që nuk i them me gëzim, por janë fakte që i din shumë njerëz. Familja jonë kurrë nuk ka pasë problem me familjen e tij. Përkundrazi, edhe nana jem e ka prit nanën e tij me ardhë me e pa, e i kemi thanë se nuk kemi asnjë problem me ta. As nana e tij, as Batoni nuk mbajnë asnjë faj për atë që ka ndodhë. Përgjegjësia është individuale dhe për veprimet e Ernestit nuk mundemi me dhanë përgjegjësi askujt tjetër ka me i mbajtë ai vet.”, ka shkruar Kastrati.

Ndër të tjerash, Kastrati ka shprehur mirënjohje për reagimin e shpejtë të Policisë së Kosovës, si dhe ekipit mjekësor në QKUK, për kujdesin ndaj nënës së tij.

“Shumë njerëz më kanë thanë: “Pse nuk e ke mbyt?” E para, aty e kom pasë nanën, gruan dhe djalin e vogël dhe krejt mendjen e kom pasë me i mbrojt ata.  Me thanë të drejtën, kom pasë mundësi me i shkaktu shumë dëm, po jom nal. Më kanë dalë para syve nana, gruaja dhe djali jem. Jom mundu me majt veten nën kontroll dhe ashtu ka ndodhë.”, ka thënë ai.

Go to TOP