ShSKUK: Organet e drejtësisë të merren me rastin e mjekut që u kërcënua në vendin e punës

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka reaguar pasi një mjek është kanosur në Klinikën e Kardiologjisë në orarin e tij të punës, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Përmes një komunikate për media, ShSKUK-ja ka thënë se aktet e tilla të kërcënimit ndaj punëtorëve shëndetësorë në detyrë, në institucionet shëndetësore, janë të papranueshme, të dënueshme dhe të dëmshme.

“Ato e dëmtojnë rëndë imazhin dhe dinjitetin e mjekut, por e dëmtojnë edhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për gjithë qytetarët e Kosovës. ShSKUK kërkon nga organet e drejtësisë të merren me rastin në fjalë dhe ndaj kërcënuesit të ndërmerren masa konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagim.

Lidhur me rastin gjatë ditës ka reaguar edhe Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK).

Në reagimin e saj OMK-ja është shprehur e shqetësuar, ndërsa ka thënë se sulmi ndaj mjekëve “është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore”.

Sipas odës, sulmet ndaj stafit nuk po kanë të ndalur dhe se ata nuk janë të mbrojtur e pa kujdes të veçuar apo mbrojtje nga pacientët ose familjarët e pacientëve.

“Ndërkaq, shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato të ndjekjes penale me pasivitetin e tyre janë duke i stimuluar këto sulme që tanimë janë bërë fenomen ditor”, thuhet në reagimin e OMK-së.

Tutje, oda ka kërkuar veprim edhe nga Prokurori i Shtetit dhe nga gjykatat, si dhe autoriteteve të tjera.

“OMK kërkon nga institucionet shëndetësore, autoritetet kompetente të nivelit qendror dhe atij lokal, që të trajtojnë me seriozitetin më të madh sigurinë në vendin e punës, pasi që mundësia e ekspozimit ndaj kriminalitetit të dhunshëm ndaj mjekut është e madhe”. 

Go to TOP