“Lufta” e të dëmtuarve për drejtësi përmes gjykatës

Kanë kaluar dy vjet, por familjarët e dy minatorëve që humbën jetën në minierën e Artanës nuk janë kompensuar nga kompania e sigurimeve. Rastin tashmë këto familje e kanë hapur në gjykatë, derisa në moskompensim për lëndime në vendin punës po ankohen edhe minatorët e tjerë. Shkas i këtyre problemeve po del të jetë një borxh që ndërmarrja Trepça ka ndaj kompanisë së sigurimeve Eurosig.

Dy qershori i vitit 2020-të ishte ditë tragjike për familjen Gërbeshi nga Novobërda.

Atë ditë në minierën e Artanës ishte shembur dheu dhe si pasojë Idriz Gërbeshi humbi jetën.

Edhe pas gati dy vitesh familja e tij dhimbjen e ka të madhe, por gjendjen ua rëndon mosrealizimi i një të drejte të tyre.

Kjo familje nuk po mund të marrë kompensimin që i takon edhe sipas ligjit.

Një gjë të tillë e pohon vëllai i viktimës, Adem Gërbeshi, i cili realizimin e të drejtës së tyre po mundohet ta bëjë përmes gjykatës.

“U bënë dy vite që nuk jemi kompensuar dhe lënda është në proces. Prej kompanisë së sigurimeve nuk kemi marrë kompensim”, tha ai.

Gërbeshi shtoi se problemin e njëjtë me moskompensim të dëmit e kanë pasur edhe rastet e tjera, që kanë ndodhur e ku punëtorët janë lënduar.

“Ne kemi edhe punëtor të tjerë që tash e disa vite lëndohen por nuk kompensohen. Kemi kërkuar edhe nga kompania Trepça, por të njëjtin na kanë thënë me shku përmes avokatit”, deklaroi ai.

Njëjtë si familja Gërbeshi po vepron edhe familja Arifaj.

Vetëm se familjarët e të ndjerit Haki Arifaj nuk kanë dashur të flasin para kamere.

Problemet mes kompanisë së sigurimit dhe minierës së Trepçës, i ka pranuar edhe udhëheqësi i shërbimit të mbrojtjes në punë në minierën e Artanës.

“Procedurat e duhura në rastet e lëndimeve në punë, ne i kryejmë në kohën e paraparë dhe të kompletuara, të protokolluara i dërgojmë në menaxhment në Mitrovicë te personi përgjegjës për sektorin e mbrojtjes në punë, i cili i dërgon në kompaninë e sigurimeve, në këtë raste tek kompania Eurosig, e cila e fiton tenderin që 3 apo 4 vite”.

“Por, puntorëve të lënduar apo shokëve tonë të cilët ndërruan jetë në vendin e punës, kjo kompani nuk Iu kryen pagesat, me arsyetimin se Trepça nuk i ka kryer obligimet ndaj tyre”, është shprehur Bastri Kokolli.

RTV Dukagjini ka kërkuar sqarime edhe nga kompania EuroSig, porse të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, ndërmarrja Trepça, përveç kompanisë së sigurimeve, borxh iu ka mbetur edhe punëtorëve të saj duke mos ua paguar trustin pensional.

Se kanë probleme të tilla ditë më parë e ka pranuar edhe Kryetari i bordit të ndërmarrjes Trepca, Bahri Hyseni.

Sipas tij, të gjitha problemet e paraqitur nga punëtorët do t’i adresojnë në Kuvendin e Kosovës. 

Go to TOP