Shqipëria shënon mbi 7.8 përqind rritje ekonomike brenda vitit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare i bëri ballë krizës së shkaktuar nga pandemia që preku mbarë globin përgjatë vitit 2020, e cila preku vendin direkt pas tërmetit të vitit 2019.

Ibrahimaj ka thënë se si qeveri i janë gjendur në kohë rekord atyre që u dëmtuan nga tërmeti.

“Kjo qeveri u gjend në kohë rekord pranë atyre që u dëmtuan nga tërmeti duke iu gjetur një strehë të përkohshme e më pas një strehë për të cilën paguajmë deri në kthimin në shtëpinë e rindërtuar. Po ashtu, në kohë rekord reaguam për tu ardhur në ndihmë të punësuarve që u gjenden pa punë dhe familjeve me ndihmë ekonomike për shkak të pandemisë”, ka thënë ministrja.

Ministrja hodhi poshtë akuzat e opozitës për dështim të ekonomisë.

“Në fakt shifrat nuk e tregojnë këtë. Ndërmorëm reforma me qëllim rimëkëmbjen ekonomike, efekti I të cilave u pa që në tremujorin e katërt të vitit 2020. Në fillim të këtij viti parashikonim rritje ekonomike në nivelin 4.4 %. Tani, jo sipas nesh, por institucioneve financiare ndërkombëtare rritja ekonomike parashikohet mbi 7.8 përqind. Kjo rritje është e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë“, ka thënë ajo.

Sipas saj, masat konkrete që u ndërmorën ndikuan edhe në një ecuri pozitive të punësimit.

“Kemi arritur normën e papunësisë së parakrizës. Në fund të mandatit synojmë që papunësia të jetë në normë njëshifrore”, tha ajo.

Go to TOP