Shqipëria në maksimumin e prodhimit, gjatë janarit ia huazoi Kosovës 164 mijë MWh energji elektrike

Përmirësohet ndjeshëm prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri. Nga ky përmirësim ka përfituar edhe Kosova ku janë huazuar gati 164 mijë megavat/orë energji vetëm gjatë muajit janar. Kjo sasi e energjisë do t’i kthehet Shqipërisë gjatë muajve të verës, kur Kosova është në një situatë të favorshme energjetike.

Reshjet e shiut dhe të borës kanë pasur ndikim në rritjen e kuotave në kaskadën e Drinit.

Nga të dhënat rezulton se në liqenin e Fierzës niveli i ujit është mbi 291 metra i cili konsiderohet i kënaqshëm për këtë periudhë dhe pranë pikës maksimale.

Në nivele optimale në liqenin e Fierzës janë edhe prurjet të cilat aktualisht vlerësohen 250 m3/s ndërsa të katër turbinat e HEC-it janë në punë.

Ndërkohë Korporata Elektroenergjitike Shqiptare aktualisht po prodhon energji me kapacitet të plotë duke plotësuar nevojat e vendit si dhe duke eksportuar.
Vetëm në javën e parë të shkurtit Kesh ka zhvilluar dy procedura për shitjen e energjisë elektrike duke arkëtuar 3.8 milionë euro në total.

Për periudhën 1- 3 shkurt është shitur energji në vlerën e 2.4 milionë eurove.

Ndërkohë në tenderin e fundit KESh ka shitur 1.4 milionë euro energji elektrike.

Kesh ndërkohë ka zhvilluar edhe një procedurë për depozitim energjie.

Gjatë janarit Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka depozituar në Kosovë gati 164 mijë megavat/orë energji, për ta rimarrë gjatë qershorit e cila vlerësohet një periudhë e thatë.

Aktualisht çmimet e energjisë në bursën hungareze mbeten të stabilizuara por në një kohë që konflikti Rusi-Ukrainë mbetet i ashpër, vijon edhe mundësia e ripërsëritjes së një krize energjetike.

Marrëdhëniet e Kosovës dhe Shqipërisë, respektivisht të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) dhe asaj të Shqipërisë (KESh), janë përmirësuar nëpërmjet këmbimit (huazimit) të energjisë elektrike, në rastet kur këto shtetet shqiptare kanë teprica nga prodhimi vetanak.

Raportet elektroenergjetike Kosovë-Shqipëri janë konsoliduar dukshëm, janë avancuar dhe janë bërë ekonomikisht më të ngushta dhe më domethënëse, sidomos pas disa marrëveshjeve kornizë të bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri, kur të dy palët, pra edhe shteti i Kosovës, edhe ai i Shqipërisë, konkretizuan më shumë mënyrat e formën e bashkëpunimit duke u mbështetur më shumë dhe në një masë të madhe te partneriteti tregtar – ekonomik ndërmjet të dy subjekteve-KEK-ut dhe KESh-it, që janë bartëse të prodhimit të energjisë elektrike në vendet e tyre.

Go to TOP