Shqipëria debuton në Ligën e Kombeve, ky është mesazhi i presidentit Duka
Shqipëria do të debutojë sot në Nations League në Pragë kundër Ukrainës.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në nisje të këtij rrugëtimi ka një mesazh për kombëtaren kuqezi.
Duka thekson se kemi një grup të vështirë, por përveç rezultateve kërkon që kombëtarja të kënaqë me lojë dhe emocione të gjithë sportdashësit kuqezi anembanë botës.
“Të dashur sportdashës! Emocionet e forta që përjetuam në Evropian vetëm pak muaj më parë me krenarinë tonë kombëtare vazhdojnë. Nga sot nisim një tjetër rrugëtim në Ligën e Kombeve si një trampolinë jo vetëm për rezultate të tjera të suksesshme!
Në sfidat e Ligës së Kombeve kemi përballë tre ekipe që pamë dhe ndoqëm në Evropian, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Republikën Çeke, duke ditur mirë forcën dhe potencialin e tyre.
Nuk kam dyshimin më të vogël që do të vazhdojmë të bëjmë shumë më mirë për të prodhuar jo vetëm sukses e rezultat, por edhe lojë e emocion për të gjithë sportdashësit kuqezi anembanë botës! Kjo është Kombëtarja jonë! Dhe besimi e mbështetja për ta nuk do të mungojnë kurrë! Shumë suksese ekipit e stafit në këtë rrugëtim të ri me besimin e palëkundur që ky ekip do të vazhdojë të mbajë të ndezur adrenalinën dhe suksesin tonë!”, ka shkruar Duka në postimin e tij në rrjetet sociale.