Shqipëri, përpjekjet për uljen e çështjeve të prapambetura në gjykata

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë Gjyqësor prezantoi sot strategjinë për uljen e numrit të dosjeve të prapambetura në gjykata, të cilat shkojnë në disa dhjetëra mijë, duke sjellë vonesa të shumta e duke cenuar dhënien e drejtësisë për qytetarët. Dokumenti, synon që të mund të arrijë të zgjidhë problemin brenda 5 viteve të ardhshme. Një objektiv i cili do të kërkojë një angazhim të plotë të shumë institucioneve, përfshirë dhe qeverinë dhe parlamentin, për shkak të mbështetjes buxhetore, por dhe ndryshimeve ligjore që propozohen

Në sistemin gjyqësor shqiptar, llogariten mbi 110 mijë çështje në pritje për t’u shqyrtuar, nga të cilat, mbi 80 mijë konsiderohen të prapambetura. Një situatë e cila siç pranohet dhe nga vetë përfaqësuesit e sistemit cenon thelbin e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.

Në kushtet kur procesi i Vettingut, nxori jashtë sistemit një numër të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh, të paktën katër gjykatat e marra në analizë për hartimin e strategjisë, Gjykata e Tiranës dhe ajo Administrative, dhe dy gjykatat e Apelit, ajo e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ajo Administrative, funksionojnë me një numër të reduktuar gjyqtarësh, ku spikat Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm me vetëm 26 nga 78 gjyqtarë që duhet të ketë.

Zgjidhja e propozuar nga strategjia, duket se mbështetet më së shumti të rritja e numrit të dosjeve që duhet të shqyrtojnë gjyqtarët aktualë, e shoqëruar kjo me parashikimet për rritjen e numrit të tyre, shtimin e ndihmsave dhe stafit jo gjyqësor, ndërhyrje për inventarizimin apo kategorizimin e çështjeve, përdorimin e teknologjisë, apo dhe ndryshime ligjore.

E qartë është se një strategji e tillë kërkon angazhimin jo vetëm të institucioneve të drejtësisë por dhe të qeverisë apo dhe parlamentit, të cilat do duhet të ndërmarrin veprime të sinkronizuara.

“I bëjmë thirrje për bashkëpunim çdo gjyqtari, por dhe të gjithë pushteteve, qeverisë dhe parlamentit, për t’i dhënë sistemit, atë që i premtuam popullit, me reformën në Drejtësi, por jo vetëm besimin dhe pavarësinë por dhe mbështetjen buxhetore, infrastrukturore dhe ligjore”, deklaroi kryetarja e KLGj-së Naureda Llagami, gjatë paraqitjes së strategjisë.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja garantoi mbështetjen e qeverisë për sa i takon asaj, nga pikëpamja buxhetore. Por dhe kur një vit më parë, u hartua harta gjyqësore, u premtua po ashtu mbështetje për atë projekt, por ende sot, nëse marrim rastin e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, nuk dihet se kur do të mund të ketë një mjedis të ri, me hapësirat e nevojshme për këtë Gjykatë, e cila ndonëse me staf të reduktuar, vuan mungesat e sallave të gjyqeve.

Nga ana tjetër, ndërhyrjet ligjore, janë në dorë të parlamentit, e mund të kërkojnë ndryshime me shumicë të cilësuar, të cilat do të donin konsensus të gjerë politik, diçka që s’mund të merret aspak e mirëqenë në kontekstin aktual.

I ngarkuari me punë i ambasadës amerikane David Wisner, tha se numri i çështjeve të prapambetura mund të tingëllojë si një problem teknik, por është vonesë e drejtësisë për qytetarët e zakonshëm: “Zgjedhjet tuaja e vendosin sistemin e drejtësisë në themele të forta dhe do të gjenerojnë një të ardhme për drejtësinë që plotëson nevojat e gjithë shqiptarëve. Është për t’u theksuar që disa prej hapave që keni ndërmarrë për të përmirësuar situatën kanë qenë të dhimbshme, sepse Vettingu shkaktoi një tronditje të fortë por ishte i domosdoshëm. Tani është koha për hapa të ndërlikuar që janë po aq të rëndësishëm. Ju nxis të përqafoni hapet e vështirë që trajtojnë sfidat e tjera”.

Strategjia e re, është parë me skepticizëm nga një pjesë e gjyqtarëve, duke i konsideruar jo realiste parashikimet për arritjen e një pjese të mirë të masave të propozuara, apo dhe faktin që përgjithësisht, skenarët e hartuar bazohen te rritja e produktivitetit të punës së tyre, madje deri në 50 përqind. Ata thonë se janë duke përballuar mbingarkesa të theksuara, ndërsa nuk ka ndonjë parashikim të qartë për të rritur numrin e gjyqtarëve apo dhe ndihmsave të tyre.

Go to TOP