Hamza premton rritje pagash, pensionesh dhe investime në infrastrukturë
Në tubimin elektoral në komunën e Dragashit, kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Bedri Hamza, premtoi investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe mbështetje për fermerët, blegtorët dhe sektorin e turizmit. Para elektoratit, Hamza premtoi gjithashtu se, qysh në fillim të mandatit, do t’i rrisin pagat në sektorin publik për 50 për qind.
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, gjatë tubimit zgjedhor në Dragash, deklaroi se ky subjekt politik po garon me një program konkret, në qendër të të cilit është zhvillimi ekonomik si një nga shtyllat kryesore për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e shtetit.
“Garojmë me një program që në fokus ka zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve. Një shtet pa ekonomi të zhvilluar nuk është i qëndrueshëm. Do t’i përkrahim bizneset, pasi është e dëmshme që kapitali i tyre të investohet jashtë Kosovës”, tha Hamza.
Ai shtoi se fokus i programit qeverisës do të jenë gjithashtu shëndetësia, arsimi dhe punësimi i të rinjve.
“Në shëndetësi: sigurim i barnave të mjaftueshme për sëmundjet kronike dhe zgjerim i listës së barnave. Spitale moderne dhe investime në QKUK. Do të mundësohet zbatimi dhe funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore. Arsim konkurrues në përputhje me nevojat e ekonomisë së tregut. Njerëzit, sapo të përfundojnë studimet, do të kenë mundësi të punësohen”, tha ai.
Hamza premtoi edhe rritje të pagave deri në 50 për qind, si dhe rritje të pensioneve, përfshirë ato për veteranët dhe invalidët e luftës. Sipas tij, investime parashihen edhe në sektorin e energjisë, modernizimin e hekurudhave dhe ndërlidhjen e rajoneve përmes autostradave.
