Shqetësime për uj të trubulluar në Deçan, MSh: Rezultatet e analizave fiziko-kimike janë brenda kufijve
Në disa fshatra të Komunës së Deçanit ka pasur ankesa nga qytetarët se uji është i trubulluar si pasojë e të reshurave.
Lidhur me këtë, Ministria e Shëndetësisë njofton se zyrtarët e Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publike në Pejë kanë konfirmuar se janë marrë mostrat e ujit të këtyre fshatrave, ku sipas tyre në rezultatet e analizave fiziko-kimike, janë brenda kufijve.
Por, në njoftim bëhet e ditur se janë duke u pritur edhe rezultatet e analizave bakteriologjike.
“Zëvendësministrja e Shëndetësisë, znj. Dafina Gexha- Bunjaku, bashkë me zëvendësministrin e Ekonomisë, z. Mentor Arifaj, kanë vizituar sot Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike në Pejë, përfaqësuesit e Komunës së Deçanit, QKMF-në në Deçan, dhe ndërmarrjen regjionale “Hidro-Drini”, (ujësjellësi), në Pejë dhe Deçan. Kjo vizitë u bë për shkak të shqetësimeve se në disa fshatra të komunës së Deçanit uji është turbulluar si pasojë e të reshurave”.
“Fshatrat nga të cilat një numër i vogël i qytetarëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë: Carrabreg, Prilep, Llukë e ultë, Prapaqan dhe Isniq. Zyrtarët e Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publik enë Pejë kanë konfirmuar se janë marrë mostrat e ujit të këtyre fshatrave, ku sipas tyre në rezultatet e analizave fiziko-kimike, janë brenda kufijve, porse priten edhe rezultatet e analizave bakteriologjike”.
Tutje, thuhet se të dy zëvendësministrat, Gexha-Bunjaku dhe Arifi, thanë se Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i përgjigjet çdo rekomandimi dhe sugjerimi që vjen nga institucionet kompetente në mënyrë që situata të jetë nën kontroll dhe qytetarët të jenë të sigurt për çdo gjë.
“Ata sigurojnë qytetarët e Kosovës, më saktësisht të fshatrave të lartpërmendura të komunës së Deçanit, se nuk ka vend për shqetësim. Zyrtarët e të gjitha institucioneve të lartpërmendura, kanë falënderuar të dy zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës për interesimin e tyre dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar më tutje”.
“Vizita në zonat e përmendura dhe masat e institucioneve të Republikës së Kosovës kanë pasuar për shkak se dje Ministria e Shëndetësisë është njoftuar nga IKSHPK-ja se, me kërkesë të ujësjellësit “Hidro-Drini” në Pejë, se janë marrë mostra të ujit të pijes nga disa fshatra të Deçanit për shkak të shqetësimeve se uji është turbulluar si pasojë e të reshurave”, përfundon njoftimi.
Comments