Shqetësime mbi njoftimet se Koreja e Veriut po dërgon trupa në Ukrainë në mbështetje të Rusisë
Përfshirja e trupave të rregullta të Koresë së Veriut për të mbështetur sulmin rus në Ukrainë do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm të konfliktit, paralajmëruan ministrat e jashtëm të Francës dhe Ukrainës gjatë një konference për shtyp në Kiev të shtunën.
Kjo ishte vizita e parë e ministrit francez Jean-Noel Barrot në Ukrainë që nga marrja e postit në shtator. Të dielën, ai pritet të vizitojë pjesën lindore të vendit, ku Franca do të financojë krijimin e dy qendrave të reja për mbrojtjen e fëmijëve të prekur nga lufta.
Të enjten, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, akuzoi Korenë e Veriut se po përgatitej të dërgonte 10,000 trupa për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se deri më tani nuk ka prova për praninë e trupave nga Pheniani në Ukrainë.
“Një përshkallëzim i tillë do të ishte shumë serioz dhe do ta zhvendoste konfliktin në një fazë të re,” tha Barrot, duke shtuar se kjo gjithashtu do të tregonte se Moska po përballej me sfida të mëdha në fushën e betejës.
Homologu i tij ukrainas, Andrii Sybiha, tha se rreziku nga ky zhvillim ishte “i madh”.
“Kjo përbën një kërcënim të madh për një përshkallëzim të mëtejshëm të agresionit rus kundër Ukrainës, duke e tejkaluar situatën aktuale,” tha Sybiha.
Më herët gjatë javës, Zelenskiy prezantoi ‘planin e fitores’, të cilin e konsideroi si mënyrën për t’i dhënë fund luftës deri vitin e ardhshëm. Një nga hapat kryesorë të planit është anëtarësimi i Ukrainës në NATO pa kushte.
Ministri i Jashtëm i Francës shtoi se Parisi është i hapur ndaj idesë së një ftese për Ukrainën në NATO, por bisedimet me aleatët do të vazhdojnë. “Sa i përket ftesës për Ukrainën, ne jemi të hapur për këtë mundësi dhe po diskutojmë me partnerët tanë,” tha Barrot.
