Shqetësim serioz për mësimdhënien e matematikës në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë

Prindër dhe nxënës të klasave të dhjeta (X) në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën e zhvillimit të mësimit dhe procesin e vlerësimit në lëndën e Matematikës, që ligjërohet nga profesoresha L. M.

Sipas informatave të vazhdueshme të ardhura nga nxënësit, mësimdhënia zhvillohet duke përdorur detyra dhe ushtrime nga libra që nuk janë pjesë e literaturës zyrtare me të cilën janë pajisur nxënësit, përfshirë edhe materiale në gjuhë serbe. Kjo, sipas tyre, bëhet pa u mbështetur në librin e Matematikës për klasën X, të aprovuar nga institucionet përkatëse arsimore.

Ky problem theksohet veçanërisht gjatë vlerësimeve dhe testeve, ku detyrat, sipas nxënësve, nuk përputhen me përmbajtjen e librave shkollorë. Testi i fundit, sipas prindërve, ka nxjerrë në pah këtë situatë, pasi nga rreth 30 nxënës në një klasë, mbi 20 kanë marrë nota të dobëta duke ngritur dyshime serioze mbi drejtësinë dhe përputhshmërinë e vlerësimit me mësimdhënien e zhvilluar në klasë.

Përveç kësaj, nxënësit raportojnë edhe për një qasje demotivuese dhe jo profesionale nga ana e profesoreshës, përfshirë deklarata që, sipas tyre, bien ndesh me etikën profesionale të mësimdhënësit dhe rolin edukativ që ai duhet të ketë në procesin arsimor.

Prindërit theksojnë se mësimdhënësit paguhen për të ofruar mësim cilësor, në përputhje me planprogramet dhe librat zyrtarë duke treguar përgjegjësi dhe kujdes ndaj nxënësve, e jo duke i ekspozuar ata ndaj materialeve të paautorizuara apo presionit psikologjik gjatë vlerësimit.

Për këtë arsye, u është bërë thirrje Drejtorisë së shkollës së mesme “Xhevdet Doda”, si dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, që ta hetojnë këtë çështje, të sqarojnë përdorimin e literaturës, mënyrën e vlerësimit dhe sjelljen profesionale të profesoreshës në fjalë, si dhe arsyet e rezultateve dukshëm të dobëta në testet e klasave të dhjeta.

Sipas prindërve dhe nxënësve, transparenca, profesionalizmi dhe mbrojtja e interesit të nxënësve duhet të jenë prioritet absolut i çdo institucioni arsimor. /Kosova.info/

Go to TOP