Shpërthen një letër-bombë në ambasadën e Ukrainës në Madrid

Një letër-bombë shpërtheu në ambasadën e Ukrainës në Madrid të mërkurën, duke lënë të plagosur një punonjës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, tha: “Ambasada e Ukrainës në Spanjë mori një zarf. Gjatë kontrollit, zarfi ka shpërthyer në duart e komandantit. Komandanti ka pësuar lëndime të lehta dhe nuk ndodhet në spital, po marr ndihmën e nevojshme mjekësore. Nuk ka asnjë kërcënim për jetën e tij”, raporton “Politico”.

Asnjë personel tjetër i ambasadës nuk u lëndua, dhe shërbimet spanjolle të zbatimit të ligjit dhe zjarrfikësve po punojnë në vendngjarje.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, urdhëroi rritjen e sigurisë në të gjitha ambasadat e Ukrainës dhe i kërkoi Spanjës që të hetojë urgjentisht shpërthimin.

Ai tha se “kushdo që qëndron pas organizimit të këtij shpërthimi nuk do të ketë sukses të frikësojë diplomatët ukrainas apo të ndalojë punën e tyre të përditshme për forcimin e Ukrainës dhe kundër agresionit rus”.

Go to TOP