Shpend Ahmeti shpjegon funksionimin e buxhetit komunal: ‘Faji është jetim, përgjegjësia e përbashkët’
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka publikuar një sqarim të detajuar lidhur me mënyrën se si funksionon buxheti komunal duke synuar t’i japë qytetarëve dhe opinionit publik një pasqyrë të qartë për procesin buxhetor dhe përgjegjësitë e institucioneve në këtë cikël.
Ahmeti fillimisht shpjegon se buxheti i komunave përbëhet nga dy komponentë kryesorë: grantet qeveritare që vijnë nga niveli qendror dhe të hyrat vetanake, të cilat sigurohen nga taksat që mbledhin vetë komunat. Grantet shpërndahen duke u bazuar në numrin e popullsisë së secilës komunë, ndërsa Prishtina gëzon një shumë shtesë për shkak të statusit të saj si kryeqytet.
Sipas tij, çdo prill Ministria e Financave u dërgon komunave qarkoren e parë buxhetore, përmes së cilës caktohet tavani buxhetor dhe tavanet për kategoritë e shpenzimeve: paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, subvencione dhe investime kapitale. Buxheti i komunës përcaktohet nga vlera e grantit plus mesatarja e të hyrave vetanake të tre viteve të fundit.
Ahmeti thekson se komuna ka detyrim që deri më 31 gusht të organizojë takimet me qytetarët dhe më 1 shtator ta dorëzojë buxhetin në Kuvendin Komunal. Ky i fundit duhet ta miratojë brenda shtatorit, për ta dërguar më pas në Ministrinë e Financave, e cila e përfshin në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për ta proceduar në Kuvendin e Kosovës. Çdo shpenzim i çdo organizate buxhetore duhet të aprovohet nga Kuvendi i Republikës.
Ish-kryetari sqaron gjithashtu se në rastet kur komuna vonon dërgimin e buxhetit përtej afatit, Ministria e Financave e procedon versionin e vet në Kuvend deri sa komuna të dorëzojë buxhetin e saj. Në rastin konkret, ai thotë se edhe pse komuna e kishte miratuar buxhetin në dhjetor dhe e kishte dërguar në ministri, Kuvendi i Kosovës nuk e ka votuar ende duke bërë që të mbetet në fuqi versioni i Ministrisë së Financave.
Një pikë tjetër e rëndësishme që Ahmeti ndalet është menaxhimi i të hyrave vetanake. Ai shpjegon se nëse grantet qeveritare nuk shpenzohen deri më 31 dhjetor, ato kthehen në qeveri, por një gjë e tillë nuk vlen për të hyrat vetanake. Komuna mund të mbledhë taksa edhe në nëntor e dhjetor, por të mos arrijë t’i shpenzojë menjëherë. Në fillim të vitit pasues, qeveria njofton komunën për shumën e të hyrave vetanake të pashpenzuara. Kryetari më pas duhet të propozojë ndarjen e këtyre mjeteve dhe t’i çojë për votim në Kuvendin Komunal – proces që quhet “bartje e mjeteve”. Vetëm pas votimit Ministria autorizon shpenzimin e tyre.
Ahmeti thekson se, sipas informacionit në media, Komuna e Prishtinës ka thirrur seancën për bartjen e mjeteve më 27 nëntor.
“Ky postim është vetëm për ta informuar debatin mbi mënyrën e funksionimit të buxhetit,” përfundon Ahmeti duke shtuar se qytetarët vetë duhet të gjykojnë se kush ka devijuar nga rregullat e përcaktuara. Ai mbyll me një mesazh të qartë: “Faji është jetim, përgjegjësia e përbashkët. Zgjedhjet vijnë e shkojnë, por jeta vazhdon me shkolla, çerdhe, autobusë dhe shërbime.” /Kosova.info/
