Shoqata e Matematikanëve e Kosovës intensifikon përgatitjet për TST-në drejt IMO dhe EGMO 2025
Shoqata e Matematikanëve e Kosovës (ShMK) është duke vazhduar me përgatitjet intensive për të gjithë nxënësit që do të marrin pjesë në Testin e Zgjedhjes së Ekipit (TST) për Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (IMO 2025) dhe Olimpiadën Evropiane për Vajza në Matematikë (EGMO 2025).
ShMK shpreh mirënjohjen e saj për kontributin e jashtëzakonshëm të trajnerëve vullnetarë, matematikanëve Fiton Hoxha, Dren Neziri dhe Dorlir Ahmeti, të cilët tash e disa vite janë angazhuar në avancimin e njohurive të nxënësve, duke i përgatitur ata për gara kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Shoqata mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje maksimale për të rinjtë e talentuar në matematikë, duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e saj për t’i ndihmuar në arritjen e suksesit. Në këtë kuadër, përgatitjet për TST-në janë thelbësore për përzgjedhjen e ekipeve më të mira që do të përfaqësojnë Kosovën në këto dy ngjarje prestigjioze ndërkombëtare”, thuhet në njftimin e ShMK-së.
Me angazhimin e vazhdueshëm të trajnerëve dhe përkushtimin e nxënësve, ShMK synon të çojë përpara sukseset e matematikës kosovare në skenën globale. /Kosova.info/
