Shkupi dhe Sofja mbeten të përkushtuar ndaj dialogut konstruktiv deri në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të bazuar në vlera evropiane

Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë, Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov pas takimit të djeshëm në Romë paralajmëruan gatishmëri për vazhdim të dialogut për arritje të marrëveshjes së pranueshme për të dyja palët, e bazuar në vlera evropiane dhe me respektim të dinjitetit të qytetarëve, me çka Sofja do ta tërhiqte veton për fillim të negociatave për anëtarësim të vendit në BE dhe do ta zhbllokonte rrugën tonë evropiane.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski  pas takimit deklaroi se në këtë moment nuk mund të thotë nëse ka progres në lidhje me arritjen e dokumentit të përbashkët të pranueshëm me Bullgarinë, por bisedimet vazhdojnë në mes ekipeve të ekspertëve të Ministrive për Punë të Jashtme dhe menjëherë sapo të ketë progres të caktuar kjo do të kumtohet në nivel të ministrave.

Kovaçevski theksoi se janë dakorduar që ato bisedime të vazhdojnë në mënyrë që MPJ-të të mundohen të arrijnë një dokument që do të ishte i pranueshëm për të dyja vendet dhe do të ishte bazë për zgjidhje që do të mund të ndahej me institucionet e të dyja vendeve.

“Nuk diskutuam fare nëse ka kushte të reja nga Bullgaria. Këto janë çështje që kanë qenë të hapura paraprakisht për ata tanimë ekziston i ashtuquajtur propozimi portugez, i cili është ende bazë për bisedime ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme dhe në këtë pikë nuk mund të them për progres në arritjen e një dokumenti reciprokisht të pranueshëm, duke qenë se derisa të arrihet një dokument i tillë nuk mund të flasim për progres”, deklaroi Kovaçevski.

Në lidhje me pritjet për samitin e ardhshëm të BE-së në qershor, Kovaçevski tha se nuk dëshiron të jetë i lidhur me data, sepse siç theksoi, vendi jonë ka qenë peng i datave nga muaji në muaj dhe beson se një gjë e tillë nuk varet vetëm nga ne, por varet nga vendimi i 27-të vendeve anëtare të BE-së.

Me rëndësi për qeveritë e Bullgarisë dhe të Maqedonisë së Veriut është që të vazhdojnë me dialog konstruktiv dhe të mos i nënshtrohen provokimeve nga disa grupe të cilat tentojnë t’i rrisn tensionet, deklaroi dje në Romë, kryetari i Qeverisë bullgare, Kiril Petkov pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

“Nuk u obliguam në kurrfarë afate, gjëja e vetme në çka jemi obliguar është që ta mbajmë ritmin e mirë, ndërsa ministritë e punëve të jashtme të vazhdojnë të punojnë. Premtuam se do ta mbajmë ritmin konstruktiv. Presim në javët dhe muajt e ardhshëm disa grupe të ndryshme të cilat nuk duan fqinjësi të mirë midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut të tentojnë të shkaktojnë provokime”, deklaroi Petkov, duke shtuar se me kryeministrin Kovaçevski konfirmuam se krijimi i fqinjësisë së mirë është i rëndësishëm dhe i përbashkët.

Petkov në një deklaratë për mediat bullgare përsëriti se nevojitet të thirret Këshilli konsultativ bullgar për siguri kombëtare në të cilin do të bisedohej për tërë atë që deri më tani e kanë bërë qeveritë e dy vendeve.

“Vetëm përmes dialogut konstruktiv do të mund të vazhdojmë në drejtim të fqinjësisë së mirë që e duan dy qeveritë”, tha Petkov, duke shtuar se shpreson se hapi i ardhshëm do të jetë thirrja e Këshillit konsultativ për siguri kombëtare nga ana e presidentit bullgar, Rumen Radev, që të shqyrtohet gjithë ajo që është arritur nga takimet e deritanishme.

Petkov, paraprakisht para takimit, porositi se për heqje të vetos bullgare për fillim të negociatave të vendit me BE-në do të mund të flitet pasi që Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë do t’i prezantojë rezultatet e fundit nga përparimi i dialogut me Maqedoninë e Veriut, të cilat më pas do t’i parashtrohen Kuvendit bullgar, i cili do të diskutojë dhe do të paraqesë qëndrim të qartë për atë se çka duhet të bëjë Qeveria në Sofje.

Radev, ndërkaq, nga Sofja porositi se që ta thërrasë Këshillin, së pari duhet ta dëgjojë qëndrimin e Petkovit për Maqedoninë e Veriut.

“Këshilli konsultues për siguri nacionale është organ për ndihmë në dialogun dhe për kërkim të zgjidhjes së përbashkët për çështje të rëndësishme nacionale. Lidhur me Republikën e Maqedonisë së Veriut jo vetëm që ka konsensus të gjerë, por ai shprehur fuqishëm. Autoritetet duhet të jenë të qarta lidhur me atë. Sa është çrregulluar dialogu në vetë koalicionin në pushtet, atë duhet të thuhet qartë dhe të ceken shkaqet për atë”, tha Radev.

Sipas tij, sa më shumë që Qeveria bullgare i përmbahet pozicionit zyrtar bullgar të parashtruar në dokumentet e miratuara nga Kuvendet popullore dhe në takimin e fundit të Këshillit konsultativ për siguri nacionale, aq më tepër Qeveria e Kiril Petkovit e dëgjon zërin e bullgarëve në Bullgari dhe në Maqedoni të Veriut.

Lidhur me atë nëse ka ndryshime në pozicionet e partnerëve evropianë dhe nëse ka përparim në përmbushjen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga ana e Maqedonisë së Veriut, Radev theksoi se për këto çështje duhet të dëgjojë vlerësim nga kryeministri Petkov, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të punojë në drejtim të respektimit të të drejtave të qytetarëve me vetëdije bullgare në vend.

Nga Tirana, ndërkaq, shefat e diplomacive të Shqipërisë dhe të Greqisë, Olta Xhaçka dhe Nikos Dendias dërguan porosi se integrimi euroatlantik është orientim i pazëvendësueshëm për vendet e rajonit.

Go to TOP