Shkodra – bekimi, mallkimi dhe vajtimi i politikanëve tanë!

Një specialist i bujqësisë, në Qeverinë e Izraelit, ndërsa ishte në Shqipëri, për punë, kolegët shqiptarë e ngjitën edhe në Kalanë e Rozafës.

Ardhur nga një vend ku uji është malli më i çmuar, ndërsa pa poshte një qytet rrethuar nga dy lumenj dhe një liqen, ai tha:

Ky është një vend i shenjtë dhe i bekuar, jo Jerusalemi!

Në fakt për shkodranët, Liqeni, Buna dhe Drini, janë bëra mallkimi i tyre, brez pas brezi.

Shkodra është përmbytur me kohë. Ndërtimi i HEC-eve gjatë komunizmit, solli një lloj stabiliteti dhe rralloi përmbytjet.

Në kohën tonë, edhe pse për shumëkënd është një konspiracion global, klima ka ndryshuar. E tërë vjeshta ishte pa shi, dhe për 24 orë ranë reshjet e tre muajve. Kjo është “natyra e re” me të cilën ne duhet të jetojmë, nga e cila do të përfitojmë por edhe duhet të mbrohemi.

Çfarë po bëjmë ne sot?

Berisha, në opozitë, ka zbritur në terren dhe po u qan hallin banorëve të përmbytur.

Këtë gjë bënte Rama në 2010, ndërsa ngarkonte deputetët në varkë dhe takonin fshatarët e përmbytur dhe akuizonte qeverinë.

Sot, Rama dhe ministrat e tij kanë marrë metrin dhe masin thellësinë e përmbytjes. U del disa cm me pak se përmbytja e Berishës.

“Super! Kaq na duhet! Ne jemi më mirë”

Dhe vijojnë akuzat. Ti i hape më shumë portat, unë i hapa më pak!

Askush nuk ka në plan të projektojë një sistem mbrojtës nga uji, në mënyrë që ky produkt i natyrës të jetë pasuri(siç është në fakt) e jo fatkeqsi.

Institucionet kërkimore-shkencore në fushën e ujërave i shkatërruam!

Infrastrukturën e ndërtuar gjatë komunizmit, kanale, hidrovore, argjinatura….i shkatërruam apo i lamë të shkatërrohen!

Ndërtuam shtëpi sa më afër lumenjve dhe madje edhe në shtrat të lumit!

Natyra është bërë më agresive. Lumi më agresiv. Deti më agresiv. Ndrësa ne jemi bërë edhe me agresivë me njëri-tjetrin.

Lerini akuzat, por thërrsini ca njerëz të mençur, nga ata që ende nuk kanë ikur në atë botë, dhe jepuni një zyrë e të hartojnë projekte se si mund ti bëhet ballë këtij problemi, sot e për dekadat e ardhëshme.

Fillojini sot punimet e të mbarojnë edhe në 2050, por fillojini, e mos gjuani njeri-tjetrin me baltë, se në baltë do të mbetemi tërë jetën.

Holandezët kishin një kënetë 2 metra nën nivelin e detit dhe e bënë vendin më të pasur të Europës, duke ndërtuar prita. Ndërsa ne kemi një parajsë dhe po e shndërrojmë në kënetë, sepse kemi mendjen vetëm të vjedhim e të zihemi me njeri-tjetrin./Mentor Kikia

Go to TOP